Facebook dhe Instagram mbyllin llogaritë e ushtrisë së Mianmarit

Platformat e mediave sociale Facebook dhe Instagram kanë ndaluar të gjitha llogaritë e ushtrisë së Mianmarit, e cila në fillim të këtij muaji mori pushtetin nëpërmjet një grusht shteti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim në Facebook thuhet se fushën e ndalimeve të zbatuar më parë ndaj ushtrisë së Mianmarit në këtë platformë, ka filluar ta zbatojë edhe në Instagram.

Gjithashtu në njoftim është theksuar se janë ndaluar reklamat e faqeve komerciale të lidhur me administratën ushtarake.

Facebook më 21 shkurt tha në një deklaratë se faqja me emrin "Ekipi i Informimit të Lajmeve të Vërteta i Tatmadaë-it" që i përkiste ushtrisë së Mianmarit është mbyllur me arsyetimin se "duke nxitur dhunë, faqja ka shkelur standardet e komunitetit gjatë gjithë kohës".

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Ëin Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.

Kombet e Bashkuara (OKB), Bashkimi Evropian (BE) dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Disa vende, si SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja, kanë imponuar sanksione ndaj zyrtarëve ushtarakë që organizuan puçin.

Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.

Suu Kyi, paraburgimi i së cilës u vazhdua dy herë, do të mbahet prapa grilave të paktën deri në fillimin e një seance gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.