VIDEO/ Izmir Smajlaj ngre flamurin shqiptar në Beograd, medalje edhe për atletin Franko Burraj

Viti 2021 ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për atletin shqiptar Izmir Smajlaj.

Pas sukseseve në Vjenë (Austri) dhe Stamboll (Turqi), ku u shpall kampion i Ballkanit, atleti shkodran triumfoi edhe në mitingun ndërkombëtar të sallave të mbyllura të zhvilluara në Beograd (Serbi).

Në turneun serb, Smajlaj garoi në kërcim së gjati, duke zënë vendin e parë me 7.91 metra.

Ky rezultat është i njëjtë me atë të pak ditëve më parë në Stamboll, ku u shpall kampion i Ballkanit.

Gara e zhvilluar në Beograd ka qenë e fortë, me Smajlaj që triumfon sërish në këtë qytet, ashtu sikurse 4 vite më parë, kur shpallej kampion i Europës.

Në këtë turne mori pjesë edhe atleti Franko Burraj, që garoi në disiplinën e 400 metrave.

Burraj u rendit i dyti me kohën 47”75, duke qenë vetëm 6 të mijtat më i avashtë se vendi i parë, atleti rumun.

Një paraqitje e mirë e Burraj, që ashtu si Smajlaj ngriti flamurin kuqezi në podium.