Takimi me Bashën/ Mediu: Koalicioni opozitar do funksionojë, do i shërbejmë interesit kombëtar

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim ditën e sotme në selinë blu me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me qëllim arritjen e një marrëveshje për përfaqësimin e përbashkët në zgjedhjet e 25 prillit.

Mediu deklaroi pas takimit se votat e Partisë Republikane janë shumë të rëndësishme dhe se ka shumë rëndësi që të maksimalizohen votat për opozitën, kurse shtoi se programi i PD-së duhet që të përfshijë idetë e Partisë Republikane.

“Unë besoj se koalicioni do të funksionojë jo vetëm për liderët e partive. janë të rëndësishme votat e PR dhe të partive të tjera, ka rëndësi edhe vota. Mund të bëni vetë kalkulimet sa i takojnë PR-së, PD-së etj. PR do jetë kontributore për të marrë vota edhe në Kukës, në Dibër, ku ka pretendime që të kontribuojë për koalicionin.

Programi i PD si program i opozitës është i plotë, duhet të jetë i të gjitha forcave politike, por ka specifika çdo parti.   PD të reflektojë për pronarët e ligjshëm. Ne do i shërbejmë përherë interesit kombëtar”, u shpreh Mediu.

PD-PR mund të kenë marrëveshje, kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga afati final për regjistrimin e koalicioneve në KQZ.

Ndërsa data 6 mars është afati i fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.