Rama bëhet meme vetë: Pasanikët amerikanë po blejnë shtëpi në Vlorë

Një ditë pasi tha se në Vlorë, paga e të rinjve shkon deri në 10 mijë euro në muaj, kryeministri Edi Rama vazhdon të bëhet vetë meme. Ai deklaroi se në këtë qytet kanë nisur të blejnë shtëpi edhe amerikanët e pasur.

Edhe pse vlonjatët kanë marrë udhët e botës dhe qyteti i ngjan një shkretëtire gjatë 10 muajve, për Ramën, Vlora është motori ekonomik i vendit.

“Unë kam besim te fakti që Vlora është e krijuar për të qenë një nga motorët më të fuqishëm të perspektivës së këtij vendi. Ka potencialin të transformohet në fuqi për ekonominë e vendit.

Unë pata një vizitë nga një doktori i famshëm amerikan. E kemi dëshmitar Fatmir Hanxharin. Erdhi këtu për vizitë dhe pushime sepse punon në spital me një doktor shqiptar. Unë do ta takoja për një kafe sepse më thanë dhe e kishim lënë takimin në orën 5. Ai më tha do iki në Vlorë për një drekë me gruan dhe do të vij.

Kur më merr nga Vlora më tha nuk vij dot se do blej shtëpi këtu. Unë tha nuk kthehem nga ky qytet pa blerë shtëpi. Qëndroi në Vlorë ai tre-katër ditë, bleu shtëpinë. E mobiloi dhe pastaj jemi takuar pas tre-katër ditësh, Sot që flasim janë disa mjekë të tjerë nga spitalet e famshme të Amerikës që duan të blejnë shtëpi në Vlorë. A e imagjinoni të ndodhte kjo gjë para 7 vitesh”, tha Rama.

Rama shtoi se aeroporti i Vlorës do të jetë garancia më e madhe për investime. Ai u shpreh se është legjitime që qytetarët të ankohen se nuk ka ujë 24 orë në ditë por theksoi se kjo është një problematikë e hershme që prej kohës kur ai ishte fëmijë.