‘Na mungoi personaliteti’/ Pioli flet pas barazimit të Milanit me Crvena Zvezdën

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, pranoi se ekipit të tij i mungoi personaliteti për të mbyllur sfidën e parë të raundit të 1/16-ve të Ligës së Europës kundër Crvena Zvezdës, teksa ekipi serb barazoi 2-2 në çastin e fundit në Beograd.

Duke patur parasysh se këtë të diel luhet dhe derbi kundër Interit, Pioli shtoi se kjo supersfidë vjen në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, prandaj “Djalli” duhet të bëjë më të mirën.

“Nuk është çështja se sa kemi gabuar, por duhet të analizojmë paraqitjet tona dhe të rrisim nivelin e performancës, sepse një moment i rëndësishëm i sezonit ka ardhur për ne. Mund të bëjmë akoma më mirë. Sot e kishim këtë mundësi, por nuk ia dolëm në fund.

Momenti për Milanin – Mendoj se duhet të bëjmë një vlerësim më të gjerë. Patëm një periudhë disa muaj më parë me shumë futbollistë të dëmtuar dhe me lojtarë të ngarkuar shumë. Tani duhet të gjejmë kondicionin e duhur fizik për ata që janë kthyer nga dëmtimet dhe të menaxhojmë ata lojtarë që janë aktivizuar së tepërmi. Në aspektin fizik, jemi mirë. Nuk mundëm të fitonim sot, sepse na mungoi personaliteti për të shtyrë topin përpara dhe të gjenim hapësira për të mbyllur sfidën. Ekipi po bën mirë, por kjo nuk do të ketë rëndësi nëse nuk e mbyllim mirë sezonin. I kemi cilësitë për t’ia dalë.

Inter-Milan – Mendoj se derbi është ekuilibruar së fundmi. Kemi pësuar gola dhe besoj se ajo skuadër që pëson më pak, ajo i ka dhe më shumë mundësitë të fitojë. Ky derbi ka ardhur në një moment kur jemi shumë pranë njëri-tjetrit në renditje dhe në nivelin e lojës. Duam ta përgatisim ndeshjen sa më mirë që të japim më të mirën”, përfundoi trajneri i Milanit, Stefano Pioli.