Këlliçi: Sakrifica e protestuesve të Unazës së Re, nuk do harrohet! Qeveria Basha do i dëmshpërblejë

Kryetari i FRPD-së Belind Këlliçi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ekipin e Grupseksionit 4 të PD në zonën e Astirit, nga ku denoncoi diferencimin ndasor me legalizimet e shtëpive dhe dhunën sistematike gjatë 400 ditëve protesta ndaj banorëve.

‘Marrja me dhunë e banorëve dhe mbajtja e tyre në rajonet e policisë ka qenë e paligjshme! Ka patur raste kur vetë ministra të qeverisë Rama, kanë kërkuar në ditë të caktuara, që disa familje të merreshin me forcë në komisariate’, shkruan Këlliçi në Facebook.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Takova ekipin e Grupseksionit 4 të PD në zonën e Astirit. Banesat private të kësaj zone preken direkt nga projekti abuziv i Unazës së Re. Diferencimi ndasor me legalizimet e shtëpive dhe dhuna sistematike gjatë 400 ditëve protesta të banorëve, kanë shënuar kulmin e urrejtjes ndaj modelit Rama. Marrja me dhunë e banorëve dhe mbajtja e tyre në rajonet e policisë ka qenë e paligjshme! Ka patur raste kur vetë ministra të qeverisë Rama, kanë kërkuar në ditë të caktuara, që disa familje të merreshin me forcë në komisariate.

Banorët kërkojnë një qeveri që mbron interesat e tyre. Një qeveri për të gjithë shqiptarët! Qeveria Basha, pas 25 prillit, do të dëmshpërblejë banorët për shtëpitë që kanë ngritur me kursimet e një jete. Sakrifica sublime e banorëve protestues të Unazës së Re, nuk do të harrohet!