Rastet e shtuara me Covid/ Mbyllet një shkollë dhe zyra e Policisë Bashkiake

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Durrës ka mbyllur këtë të premte shkollën 9-vjeçare “Adem Gjeli” në Ishëm pas konfirmimit të rasteve me Covid-19.

Kështu, për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve me virusin e rrezikshëm, inspektorët e ISHSH i kanë vënë shiritin institucionit arsimor.

Ndërkohë në fillim të muajit, më 1 shkurt, drejtoria rajonale e ISHSH-së ka mbyllur me një afat 14 ditor Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit Durrës, deri në përfundim të periudhës së karantinimit të detyrueshëm pas konfirmimit të një rasti pozitiv dhe të pritjes  së përgjigjes së tamponit nga 10 personat e kontaktit.

Një tjetër zyrë e mbyllur nga ISHSH ka qenë edhe ajo pranë Policisë Bashkiake Durrës pas konfirmimit të 5 rasteve pozitive me Covid-19 më 5 shkurt.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Durrës bën me dije se 11 ditët e para të këtij muaji janë monitoruar 408 subjekte, ndërsa janë kryer 4653 monitorime e këshillime për vendosjen e maskës te qytetarët në ambientet e jashtme, si masë kjo për minimizimin e përhapjes së sëmundjes të shkaktuar nga Covid-19.