Prokurorët në Senat: Prova të pamohueshme se Trump nxiti rebelimin drejt Kapitolit

Prokurorët në gjyqin kundër ish-Presidentit Trump në Senatin amerikan thanë të enjten se ka prova "të qarta dhe të pamohueshme" se ish-presidenti nxiti rebelimin e 6 janarit duke dërguar përkrahësit e tij drejt Kapitolit për të penguar procesin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Në argumentet përmbledhëse, prokurori kryesor, ligjvënësi Jamie Raskin u tha 100 senatorëve që po luajnë rolin e jurisë se duhet të përdorin "logjikën e shëndoshë për ngjarjet në Kapitol".

"Një parim bazë është se askush nuk duhet të nxisë dhunë" në demokracinë amerikane, tha zoti Raskin.

Senati amerikan përmbylli ditën e tretë të gjyqit ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Senat. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e prokurorëve, përmbyllën paraqitjen e argumenteve të tyre mbi rolin e ish-Presidentit Donald Trump në protestat e dhunshme të 6 janarit. Në ditën e tretë të gjyqit, ata u përqëndruan tek dëmi i shkaktuar gjatë trazirave në Kapitol dhe roli i ish-presidentit në nxitjen e protestuesve.

Në ditën e fundit të paraqitjes së argumenteve nga pala akuzuese, demokratët përshkruan me shembuj nga përvoja personale tmerrin e asaj dite, skenat nga salla ku tani po zhvillohet gjyqi.

Demokratët ngritën një numër pyetjesh të cilave, ata thonë, duhet t'u gjejnë? pë?rgjigje argumentet e ekipit ligjor të ish-presidentit.

"Përse Presidenti Trump nuk u tha përkrahësve të ndalin sulmin në Kapitol menjëherë pasi mësoi pë?r ngjarjet? Pë?rse Presidenti Trump nuk bë?ri asgjë? pë?r të? ndalur sulmin për të paktën dy orë pasi filloi," tha ligjvënësi Jamie Raskin.