Largimi nga Kukësi, Partizani dhe e ardhmja, 'zbërthehet' Skënder Gega...

Skënder Gega është një person i qetë, e peshon mendimin e tij, nuk i humbet ekuilibrat dhe asnjëherë nuk rrëmbehet nga emocionet e momentit.

Çdo fjalë që artikulon është e mirëllogaritur, që të mos intepretohet përveçse në kontekstin që ai e mendon. Pas largimit nga drejtimi i Kukësit, iu desh pak kohë për t’u qetësuar dhe për të qenë sa më i kthjellët në retrospektivën e tij në lidhje me përvojën me blutë, të cilën e rikthen në një intervistë për SuperSport, ku prek edhe ndryshimet që pësoi organika e skuadrës nga kompeticionet europiane në kampionat.

“Ishte një aventurë që për mua ishte e mirë pasi kam kaluar shumë mirë në atë klub.

5 fitoret të njëpasnjëshme u pasuan nga një barazim kundër Tiranës, ku Kukësi meritoi ndoshta ta fitonte, dhe me dy humbjet ndaj Kastriotit e Partizanit, Gega paraqiti dorëheqjen, arsyet se përse e mori këtë vendim i zbuloi vetë aktori protagonist.

Rezultatet janë gjithmonë pjesë e punës së një trajneri. Ne erdhëm pas fillimit jo të mirë, skuadra fitoi 5 ndeshje. 3 ndeshjet e fundit, dy humbëm dhe një barazim që nuk e prisnim. Në çdo moment një trajner duhet ta shikojë situatën ashtu siç është. Besoj se një lider duhet të marrë përsipër përgjegjësitë, klubi nuk më ka bërë asnjëherë presion”.

Kukësi po alternon paraqitje të vlefshme me performanca negative, gjithsesi Gega e vlerëson tej mase pasardhësin e tij, Mirel Josën.

Ardhja e Josës besoj se është shumë pozitive. Është trajner kampion, është kohë e gjatë e skuadra ka mundësi për të reaguar pasi lojtarët janë ata që luajnë në fushë. Jam i sigurt që do të bëjnë mirë si Kukësi ashtu edhe Josa.

Si një njeri që e ka lidhur jetën me futbollin, nuk mund të mos jetë i përditësuar me ecurinë e Kategorisë Supeiore, ku Vllaznia ndodhet në majën e renditjes.

Në Superiore po importohen lojtarë, por ka edhe klube që besojnë tek akademitë. Për trajnerin kampion të Shqipërisë në vitin 2019, dy zgjedhjet kanë përfitimet e veta, por rritja e produktit tënd është një alternativë e zgjuar dhe fitimprurëse.

“Unë, po të kisha diçka në dorë, do të bëja që investimet të bëhen te lojtarët shqiptarë. Nëse të huajt nuk e bëjnë diferencën është më mirë që klubet të punojnë me akademitë, pasi ka talente ku klubet mund t’i shikojnë si të ardhura. Pjesa më e madhe e të huajve kanë ardhur dhe nuk kanë sjellë asnjë përfitim.”

Partizani është skuadra e zemres, pavarësisht se ana profesionale mund të të dergojë kudo. Një skuadër që Skënder Gega e riktheu tek titulli pas 26 vitesh, paralelizmat e ekipit kampion të 2019-ës vijnë natyrshëm me grupin aktual të të kuqve që synon të përserisë të njëjtin sukses.

“Është e pamundur të bësh paralelizma me Partizanin e dy viteve më parë. Kishim lojtarë me karakter të fortë dhe me eksperiencë. Gabuam shumë pak, 5 ndeshje gjatë sezonit dhe ndryshimi me këtë sezon është se nuk ka mbaruar akoma. Besoj dhe mendoj se Partizani është në rrugën e duhur.”

Gazmend Demi dhe Safet Gjici, sa të ngjashëm apo të ndryshëm janë? Këtë ndoshta nuk e tregon dot askush më mirë se Gega që ka punuar me të dy.

Janë të ndryshëm. Për fat kam punuar me të dy dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të dy. Me Demin u realizuan të gjitha objektivat. Me Gjicin kam pasur respektin dhe mbështetjen e tij. Edhe kur u largova, ai insistoi që të qendroja, më vjen keq për Kukësin dhe për investimin e presidenit Gjici, që nuk ka shkuar siç duhet.

Thonë që një trajner është me valixhe në duar, por a po e mban valixhen në duar Skënder Gega apo për momentin e ka sistemuar veshjen sportive në raftin e rrobave?

“Kam pasur kontakte me disa skuadra, por unë e kam të pamundur, të paktën këtë sezon, që të drejtoj një tjetër skuadër, pasi jam larguar nga Kukësi.”

Nëse në nivelin profensionist nuk kërkon të angazhohet, për momentin, Gega ka ideuar dhe vendosur në punë një projekt me emrin “Red Eagle Soccer Academy“. Një akademi futbolli që në SHBA ka disa kohë që i ka ndezur motorët dhe që shumë shpejt do të hapë dyert edhe në Tiranë.