Meta: Rama ushtron terror, gjobiti 50 milion lekë kryetarin e‘Durrësi Autokton’ se ishte Presidenti në aktivitet

Presidenti Ilir Meta ka shpjeguar në ‘Çim Peka Live’ edhe takimin e djeshëm në Presidencë me kryetarin e shoqatës ‘Durrësi Autokton’ Abdullah Deliallisi, i cili u gjobit nga policia e Durrësit me 50 milion lekë të vjetra, pasi ishte organizator i takimit në nderim të figurës së arkeologut të njohur durrsak, Vangjel Toçe, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti Meta, në ambientet e Teatrit të Durrësit.

‘Unë do të doja ta kthenit edhe njëhërë pamjet nga takimi i djeshëm.

Dje, që ta dinë të gjithë qytetarët, edhe ata të Durrësit me kërkesën e shoqatës ‘Durrësi Autokton’ me qëllimin për të nderuar me titullin ‘Nderi i Kombit’ arkeologun e madh shqiptar Vangjel Toçin, për të gjithë ato kontribute që ka dhënë për Durrësin dhe Shqipërinë, me insistimin e shumë personaliteteve, u organizua një takim midis shoqatës dhe Presidencës.

Dhe për këtë arsye shoqata kishte bashkëpunuar me Bashkinë e Durrësit ku i ishte vënë në dispozicion edhe një sallë.

Dje isha në Durrës dhe mora një sms nga Bashkim Hoxha

‘Zoti President shumë mirë që po e bëni këtë gjë, por pse nuk jam ftuar unë’

I thashë që nuk jam marrë unë me listën. Por gjithsesi ftesën e keni nga unë.

Bashkia u kishte thënë deri në 50 vetë, por nuk ishin as aq.

Pasi në këtë aktivitet kishte diku te 30 vetë, me distancë të madhe. Por çfarë ndodhi?

Kryetari i Shoqatës së Durrësit është ndaluar në rrugë, është marrë nga policia dhe e kishin vendosur gjobë sot 50 milion lekë.

Tani ky 70 vjeçar që nëse do ka pensionin 300 mijë lekë do ishte shumë mirë, dhe gjobitet për një aktivitet që ka ndodhur në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Si ia vini emrin ju?

Ky është terror, policor, shtetëror, dhe kjo bëhet sepse aty ka qenë Presidenti Meta

Unë i premtova sot z. Deliallisi që do jemi me të në çdo gjyq,

Këta që bëjnë terror ndaj intelektualëve do marrin përgjigjen e duhur.

Nuk kam asnjë gjobë për të paguar, do kemi shumë drejtësi përpara.

Fati i këtyre është që opozita nuk mori pjesë në zgjedhje.

Një parti që bën zgjedhje me vetveten dhe humbet me veten dhe i duhen 30 ditë për të certifikuar zgjedhjet.

Shqiptarët e kanë të qartë tani se duhet të marrin pushtetin në dorën e tyre, dhe pushteti në dorën e tyre është vota’