Reja këshillon Marash Kumbullën: Përpiqu të ‘vjedhësh’ sa më shumë

Marash Kumbulla është një nga mbrojtësit që garantojnë të ardhmen e Kombëtares.

Së fundmi, në mediat italiane është zbardhur edhe një bisedë e ndodhur mes trajnerit Edoardo Reja dhe mbrojtësit të Romës, Kumbullës.

Ndër të tjera, trajneri ka komunikuar me djaloshin shqiptar, me mesazhe mbështetëse që sidomos i shkojnë për shtat një konteksti të momentit jo të mirë.

Ç’ka me gjasë mund të ketë ndodhur edhe pas sfidës së Romës ndaj Juventusit, ku Kumbulla mori kritika.

Kumbulla e nisi në mënyrë të shkëlqyer aventurën me Romën, duke u gjendur shpejt titullar dhe duke shënuar dy gola, ndaj Milanit dhe ndaj Jang Bojs. Mirëpo, pas kontaminimit me COVID-19, Kumbulla e humbi rolin e titullarit dhe shpesh është përballur me kritika të shumanshme, pa harruar që sapo i ka mbushur 21 vjeç.

Sidomos për periudhën e fundit, i gjendur mes vështirësive, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ka zgjedhur të bisedojë me qendërmbrojtësin, për t’i qëndruar atij pranë me këshilla të vlefshme.

“Rri i qetë dhe vazhdo që të luash siç di. Je i ri dhe ke të drejtën që të rritesh. Përpiqu që të ‘vjedhësh’ sa më shumë sekrete nga stërvitjet që bën me lojtarë ekspertë në mbrojtje. Do të jetë shumë i vlefshëm për ty ky sezon”, zbardhet ndër të tjera biseda e trajnerit me mbrojtësin.