Nuk u vetëvra, 12 vjeçarja u qëllua nga vëllai aksidentalisht, arrestohet xhaxhai

Ka ndryshuar dinamika e ngjarjes së rëndë që ndodhi dje në Shkodër, ku mbeti e vrarë një 12-vjeçare brenda në banesën e saj. Fillimisht u tha se e mitura kishte qëlluar veten e saj aksidentalisht me armë, por tashmë Policia e Shkodrës njofton se ka qenë vëllai i saj që e ka gjuajtur me armë.

Vëllai i 12-vjeçares, që është po ashtu i mitur, e ka qëlluar të motrën aksidentalisht, ndërkohë që Policia ka arrestuar xhaxhain e dy fëmijëve, nën akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Nga strukturat hetimore të Stacionit të Policisë Velipojë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 10.02.2021, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Baks, Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”(xhaxhai i 12 vjeçares)

Ky shtetas u arrestua pasi në banesë mbante pa leje një armë gjahu, me të cilën shtetasi i mitur E. Gj. aksidentalisht ka shkrepur armën në drejtim të motrës së tij, shtetases E. Gj., e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.