"Ti i pari ta vësh maskën!: Policia nëpër urbanë vë në alarm shoferë dhe pasagjerë

Policia e Shtetit ka nisur sot kontrollin e urbanëve nëpër Tiranë për mbajtjen e maskave nga pasagjerët. Në videon e publikuar nga Policia shihet një punonjës që ndalon një urban të Unazës dhe kap të parin shoferin, që me sa duket e mbante nën mjekër maskën. “Ti je i pari që duhet të mbash maskën dhe t’u kërkosh llogari pasagjerëve”, e këshilloi oficeri. Më tej, i njejti punonjës policie i kërkoi pasagjerëve një për një të vinin maskat e t’i mbanin mirë, sepse situata ishte e rrezikshme.

Policia njoftoi se strukturat e saj po vijojnë kontrollet intensive, në funksion të zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin, përqendruar edhe në linjat urbane dhe interurbane të transportit publik. Janë riorganizuar shërbime të posaçme për kontrollet në mjete për përdorimin e barrierave mbrojtëse dhe kapacitetet e caktuara sipas protokolleve.

Duke vlerësuar transportin publik qytetas si një transport me risk të lartë infeksioni, efektivët kanë ushtruar kontrolle në linjat kryesore të transportit publik urban dhe interurban, së pari për ndërgjegjësimin e stafit të punonjësve që janë në këto mjete, mbi rëndësinë që ka zbatimi i masave mbrojtëse ata, si dhe për kapacitetin e pasagjerëve në mjet dhe përdorimin e barrierave mbrojtëse nga ana e tyre.

Gjatë kontrolleve, në orët e pikut të ngarkesës, kryesisht në kryeqytet janë konstatuar mangësi dhe neglizhencë në përdorimin e barrierave mbrojtëse, si nga drejtuesit, ashtu edhe nga pasagjerët. Krahas këshillimeve nuk kanë munguar masat ndëshkuese për pasagjerë apo drejtues mjetesh që nuk mbanin barrierën mbrojtëse në mjetet e transportit publik.

Përgjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, në linjat urbane dhe interurbane janë ndëshkuar me masë administrative me nga 3.000 lekë, 283 shtetas, nga të cilët 85 në Tiranë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët që të respektojnë me rigorozitet masat kufizuese anticovid. “