Merret vendimi për përplasjen e Contes me Agnellin në Juventus-Inter

Gjykata Sportive Italiane ka vendosur të mos dënojë trajnerin e Interit, Antonio Conte, dhe presidentin e Juventusit, Andrea Agnelli, pas përplasjeve të ashpra në sfidën e fundit të Kupës së Italisë, Juventus-Inter.

Madje, edhe pse kamerat në fushën e “Allianz Stadium” regjistruan sjelljen e të dy palëve, incidenti në fjalë nuk është përmendur aspak.

Edhe dy zyrtarët e klubeve, drejtori sportiv i Juventusit, Fabio Paratiçi dhe ai teknik i Interit, Gabriel Oriali, nuk kanë marrë penalitete.

Megjithatë, këto vendime janë për momentin, pasi nëse pranohen fakte dhe prova të reja, mund të merret një vendim i ri.

Ndërkohë, është konfirmuar se dhe mbrojtësi i majtë i Juventusit, Alex Sandro, nuk do të luajë në finalen e Kupës së Italisë kundër Atalantës, pasi plotësoi numrin e kartonëve të verdhë.

Takimi mes bardhezinjve dhe zikaltërve regjistroi episode të shëmtuara jashtë fushe, ku Conte u tregoi gishtin e mesit drejtuesve të Juventusit, ndërsa Agnelli shfryu ndaj ish-trajnerit të tij me fjalë banale.