‘Masat e Komitetit të çuditshme!’/ Dasho: Nuk kanë asnjë efekt, janë të provuara

‘Të çuditshme’, i ka quajtur mjeku Erion Dasho masat e marrja nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

Në intervistë për RTV Ora, Dasho ka theksuar se këto masa të marra, nuk kanë asnjë efekt dhe mjeku shton se diçka e tillë është provuar në shtetet e tjera duke mos funksionuar.

Dasho: Këto janë përsëri masa të çuditshme. Kam kohë që Komiteti i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë nuk marrin asnjëlloj mase. Këto masa filluan çuditërisht me mbajtjen e maskës në publik dhe me sa di vendoset edhe një gjobë për personat që kapen pa maskë në publik. Mund të mbash maskën në mjekër dhe të shpëtosh nga gjoba ose të mos kesh maskë dhe të marrësh gjobën 3 mijë lekëshe. Këto janë masa që nuk kanë asnjë efekt. Gjermania e ka kuptuar së fundmi dhe i ka kërkuar qytetarëve që të mbajnë maska kirurgjikale ose maska profesionale, sepse artizanale që përdoret rëndomë në rrugët shqiptare nuk ka asnjë efekt. Deri tani kemi përdorur dhe kemi aplikuar masa kufizuese që nuk janë të bazuara mbi evidenca dhe nuk kanë asnjë efekt në ecurinë e epidemisë. Si me këto masa si pa to, situata do të ishte katastrofike sot ashtu siç edhe është.

Të zgjasësh mbylljen me një orë ose të mbyllesh gjatë natës, ndërkohë që gjithë ditën njerëzit qëndrojnë në restorante, bare, autobusë, administrata vijon të jetë e hapur dhe punon nga zyra, këto janë situata që janë provuar se janë me risk të lartë, situata që Europa prej muajsh i ka aplikuar këto masa dhe kanë dhënë sukses’, tha mjeku Dasho.