Basha në SYRI TV: Ne kemi një listë, se kujt i duhet sekuestruar pasuria sipas ligjit anti-Mafia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli gjatë intervistës për Syri Tv me gazetarin Ermal Rizai, edhe për një listë se kujt I duhet sekuestruar pasuria sipas ligjit antimafia.

Ermal Rizaj: Një prej premtimeve tuaj ose siç ju e quani ju angazhimeve tuaja është edhe hapja e 110 mijë vendeve të reja pune. Si do të hapen vendet e punës kur në Shqipëri mungojnë investimet e huaja prej vitesh por edhe kriza që ka shkaktuar pandemia covid-19 është një plagë e madhe dhe në shoqërinë shqiptare?

Lulzim Basha: Padiskutim që kemi ardhur në këtë situatë për shkak të keq qeverisjes dhe dështimeve tetë vjeçare të Edi Ramës. Kur të gjithë vende rreth e qark ulnin taksat, krijonin mjedis të përshtatshëm për investitorë e huaj në Shqipërinë e Edi Ramës investitorët e huaj përziheshin dhe vendet e punës mbylleshin. Ndaj është fare e qartë pa larguar Edi Ramën nuk mund të vijë ndryshimi.

Por largimi i Edi Ramës në vetvete do të thotë largimi i këtyre politikave të dështuara, do të thotë që Shqipëria do të jetë konkueruese me taksën e sheshtë 9% do të thotë që Shqipëria të mundësoj potencialin e jashtë zakonshëm që ka ekonomia jonë të kthehet në investime dhe vetëm investimet mund të sjellin vende pune. Pra është e qartë që kemi të bëjmë me dy përqasje krejt të ndryshme. Për 8 vite me radhë dështime, taksa të larta, përzënie të investitorëve të huaj, nuk ka një investim strategjik në 8 vitet e Edi Ramës. Investimet e fundit strategji që akoma punësojnë afro 70% të punësuarve në investimet e huaja u kontraktuan në 8-vjeçarin e fundit të Partisë Demokratike. Kjo është përqasja e Edi Ramës 8 vjet dështime.

Përqasja e programit tonë është rikthimi i Shqipërisë në një vend atraktiv me taksa të ulëta, me ambient miqësor për biznesin dhe një synim të vetëm të përkthejë çdo masë të qeveris në vende pune për qytetarët. Ka funksionuar për Maqedoninë e Veriut, ka funksionuar për Kosovën, ka funksionuar pothuajse për të gjitha vendet e rajonit dhe jam i bindur që do të funksionoj për Shqipërinë e cila në vetveta ka potenciale shumë më të mëdha se çdo kush tjetër në rajon.

Ermal Rizaj: Keni theksuar se asetet e sekuestruara në bazë të ligjit anti-mafia do tu  jepen të rinjve të cilët kanë dëshirë të investojnë në fushën e biznesit. A keni ju një listë se kujt duhet tu sekuestrohen këto asete?

Lulzim Basha: Padiskutim që po, ka lista, ka indicie dhe për fat të keq siç e tregojnë dhe përgjimet e fundit të Ndraghetës lista sa vjen dhe shtohet. Ajo që duhet të ketë parasysh çdo i ri dhe e re shqiptare që do të investoj është që nesër qeveria e dalë nga vota e 25 Prillit nuk do të jetë aleate e mafias, nuk do të jetë aleate e oligarkëve dhe e monopoleve por do të jetë aleate e rinis që kërkon të hap sipërmarrje të reja dhe në këtë kuadër pa pikë diskutimi asetet e konfiskuara të krimit të organizuar do të vihen në dispozicion edhe do të shërbejnë për të nxitur iniciativën e rinisë dhe për të nxitur sipërmarrje që sigurojnë punësim dinjitoz për ta dhe për të gjithë shqiptarët.