Tifozët e Juventusit nënshkruajnë peticion kundër Contes: Hiqjani yllin në stadium!

Sherri mes Antonio Contes dhe Andrea Agnellit në sfidën e kthimit të raundit gjysmëfinal të Kupës së Italisë ka ringjallur pakënaqësinë e tifozëve të Juventusit ndaj ish-kapitenit të parë dhe më pas trajnerit të “Zonjës së Vjetër”.

Mbështetësit e ekipit që po dominon prej një dekade futbollin italian kanë marrë iniciativën për të nënshkruar një peticion për heqjen e “yllit” të Contes në “Allianz Stadium”.

Gishti i mesit i treguar dje ndaj Juventusit është konsideruar si një shenjë fyerjeje ndaj tifozëve dhe klubit.

Megjithatë, klubi italian nuk ka vendosur të shprehet për propozimin në fjalë.

“Ai nuk e meriton yllin në stadium, duhet t’i hiqet”, shkruajnë në rrjetet sociale disa tifozë fanatikë të “Zonjës së Vjetër”.

Të njëjtën gjë kërkuan edhe në vjeshtë të vitit 2019, sepse kalimi i trajnerit puljez tek Interi nuk mund të pranohej kurrë nga shumica e tifozëve të Juventusit.

Conte, në tetor 2019, i etiketoi “injorantë dhe jo tifozë”, duke mos kursyer një “shigjetë” edhe për Andrea Agnellin.

Marrëdhënia e tensionuar doli në pah përsëri në gjysmëfinale të Kupës së Italisë, me Conten që i tregoi gishtin e mesit presidentit bardhezi.