Pasi shpalli imunitetin e tufës, kryeshkencëtari Gjinushi kërkon masa shtrënguese

Pak javë më parë Akademia e Shkencave që drejtohet nga Skënder Gjinushi shpalli rezultatin se në Tiranë është arritur imuniteti i tufës ndaj Covid, pasi 1 në 2 qytetarë e kishin kaluar.

Lajmi që i shkonte për shtat edhe Edi Ramës gjeti vend në të gjitha mediat.

Por realiteti i ditëve të mëvonshme, tregoi se studimi i Akademisë nuk ishte shumë real.

Rritja e numrit të infektimeve të reja, që zyrtarisht e ka kaluar shifrën e 1100 rasteve, pasi në realitet janë shumë më shumë që nuk identifikohen nga strukturat, ka bërë që edhe kryeshkencëtari i Shqipërisë, Skënder Gjinushi të mendojë ndryshe.

Në një aktivitet të sotëm për pandeminë, Gjinushi ka kërkuar që të ashpërsohen masat për të paktën 2 javë.

‘Vdekshmëria te ne nga dhjetori në 1%, kurba e përhapjes ka formën e një vargmali me 2 majë, në nëntor.  Në të gjitha vendet ka nisur zbritja, ne sot ndodhemi ende në majë dhe presim fillimin e uljes nga vala e dytë. 

Kjo sepse zbatohen masa më të buta se në Evropë. Për të përshpejtuar uljen duhet të përforcojmë kufizimet për së paku një fazë 2 javore.  Përballimi në pandemi në sa më pak dëme në ekonomi’, tha sot kryeshkencëtari i Shqipërisë, Skënder Gjinushi.