Alibitë e drejtorit të COVID-2: Tirja dhe grupi i saj ishin 'më të zgjuar' se ai dhe mjekët!

Spitali “Shefqet Ndroqi” i cili që nga nisja e pandemisë është kthyer në COVID-2, ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut jo vetëm sepse është kthyer në kryeqendër të betejës së bluzave të bardha me virusin, por edhe për faktin se aty kanë ndodhur shumë “incidente”.

Përveç disa vetëvrasjeve të pacientëve të infektuar të cilat nuk u hetuan kurrë deri në fund dhe drejtuesit e këtij spitali nuk morën asnjë përgjegjësi qoftë edhe morale, në këtë institucion mediat kanë kapur raste kur familjarët e të shtruarve japin para te sporteli, apo kanë marrë dëshmi se si përveç pagesave nën dorë blejnë ilaçe dhe aparate oksigjeni etj, etj.

Ndërkohë që një pjesë e medias kërkonte transparencë për atë që ndodhte, deklaratat që vinin ka ky institucion ngjanin më shumë me hartime moraliste, duke bërë thirrje që të mos bëhen pis bluzat e bardha “të heronjve në vijë të parë”.

Madje arritën deri aty sa që ndërkaq që një koleg i tyre kishte humbur jetën nga virusi, ata pranuan farsën e Edi Ramës, duke u bërë pjesë e një cirku të turpshëm së bashku ansamblin e këngës dhe valleve, i cili dha koncert në ambientet e “Shefqet Ndroqit”.

Askush nuk ka dyshuar në sakrificat dhe presionin me të cilin kanë punuar mjekët dhe infermierët gjatë kësaj periudhe, duke pasur parasysh edhe faktin që punojnë me paga dhe në kushte mjerane.

Por kjo nuk mund të justifikojë bërjen palë të drejtuesve dhe një pjese të mjekëve me propagandën qeveritare, për të mbuluar dështimin dhe korrupsionin në sistemin shëndetësorë, i cili doli edhe më shumë sheshit me rastin e pandemisë.

Rasti më flagrant ishte ai i sanitares Tire Alldervishi, i cili u zbulua nga media dhe jo nga institucionet.

Qelbi plasi, por edhe më kriminale është se po bëhet gjithçka për ta relativizuar këtë skemë sa grabitqare aq edhe çnjerëzore nga qeveria dhe për të ardhur keq, edhe nga zëdhënësit e tyre “ me bluza të bardha”.

Kështu vetëm pasi publiku mësoi nga rasti “Tire” se çfarë ndodh vërtet dhe vetëm pasi prokuroria me urdhër të gjykatës e kaloi çështjen nga “mashtrim” në skemë të organizuar kriminale dhe bëri edhe 4 arrestime të tjera në këtë spital, më në fund drejtori i këtij institucioni denjoi që të dalë publikisht në një studio televizive.

Drejtori i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi, u shfaq mbrëmë në emisionin “Open” dhe ajo që pamë ishte një alibi sa qesharake, aq edhe e turpshme.

Ashtu si rastin “Tire”, mediat kishin zbuluar së fundmi se pikërisht në spitalin e specializuar për mushkëritë dhe këto kohë për COVID, nuk funksiononte prej kohësh një aparaturë jetike për sëmundjet që trajtohen aty.

Kapisyzi vetëm pasi u pyet, ka pranuar se në kulmin e pandemisë në spitalin që ai drejton nuk punon skaneri, një pajisje shumë e rëndësishme për të gjithë të infektuarit për shkak të pasojave që shkakton në mushkëri.

“Është e vërtetë që nuk punon skaneri, i është djegur llampa. Ka 10 ditë. Është defekt teknik”, tha ai.

Që këtu mund të imagjinohet, se çfarë ndodh në atë spital.

Një shtet që ka një kryeministër i cili lëviz me charter nëpër rajon dhe që shkon me avion deri në Nju Jork për të lypur vaksina rrugëve dhe dyqaneve të Manhaten, nuk është në gjendje të gjejë një llampë për skanerin që ka në dorë jetën e qindra të infektuarve!

Por vazhdojmë më tej me cirkun justifikues dhe alibitë e drejtorit, veçanërisht për rastin “Tire” i cili nga organi i akuzës po trajtohet si krim i organizuar, por që shkon deri tani vetëm te disa infermiere dhe sanitare!

Alibia nr.1/ Ndodh në gjithë botën

Drejtori i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi, u justifikua fillimisht se korrupsion si ai i Tire Alldervishit dhe bashkëpunëtoreve të saj, ndodh në të gjithë botën.

“Korrupsioni në sistemin shëndetësor është një sëmundje botërore. Unë hyra për kuriozitet dhe pashë, që e konsideronin sëmundje botërore. Pra është një plagë që ndodh, gjendet, shfaqet në trupin e sistemeve shëndetësore”, tha Kapisyzi me qetësinë më të madhe.

Kjo alibi të kujton atë të Elisa Spiropalit e cila sa herë që qeveria apo institucionet kapen në skandale të mëdha del dhe thotë, se këto gjëra ndodhin kudo në botë e madje bëhen edhe filma!

Alibia nr.2/ Moment i veçuar, rastësi

Drejtori i spitalit që është kthyer në super-lajm nuk shfaqi mbrëmë as një shenjë reflektimi apo përgjegjësie, por vetëm lëshoi justifikimet pa pushim.

Kështu duke vazhduar të flas për grupin e organizuar të Tires në institucionin që drejton, ai deklaroi me bindje se kemi të bëjmë me një moment të veçuar dhe gjithë veprimtarinë e sanitareve dhe infermiereve të arrestuara tashmë, e quajti  një rastësi.

Sipas tij Tire pastruesja, arriti që tua hedhë mjekëve dhe të shfrytëzojë dobësitë e tyre!

  “Fatkeqësi e jona ishte që një personel i brendshëm, hyri dhe e ç`pengoi vigjilencën, duke e konsideruar pacienten si teze dhe pacientja…”, tha drejtori.

Por se çfarë përgjegjësie ka zinxhiri drejtues në këtë spital që nga mjeku përgjegjës, shefat e pavionëve e deri te ai vetë, Kapisyzi harroi ta thotë. Madje me këtë justifikim vetëm për t`ju shmangur përgjegjësisë, ai i nxjerr grupin e Tires më të zgjuar se ai dhe mjekët e spitalit që drejton!

Alibia nr.3/ Karakteri i keq i Tires

Drejtor Perlat Kapisyzi mbrëmë te Eni Vasili, për të justifikuar dështimin dhe korrupsion në institucionin që drejton ja hodhi fajin “karakterit të keq” të Tires, madje thirri në ndihmë edhe Çarls Darvinin.

“Tirja ka shumë vite që punon, edhe disa vite del në pension. Kuptohet që karakteri i njeriut përcakton edhe fatin e tij. Darvini, na ka mësuar që karakteri i njeriut formohet nga ndikimi që bën ambienti, natyra por edhe shoqëria. Dhe Tirja është një nga ato ku karakteri i saj ka ndikuar edhe tek këto elementë të tjerë, sepse karakteri i saj… Po them që edhe ato (infermieret dhe sanitaret e tjera të arrestuara) kanë pasur pak a shumë, edhe karakterin e Tires”, tha ai.

Në fakt karakteri grabitqar dhe madje edhe anti-human i Tires dhe infermiereve dhe sanitareve të tjera të grupit ishte zhvilluar drejt zhvatjes së pacientëve, pikërisht aty brenda në spital; në ambientin që ka krijuar dhe drejton drejtor Kaisyzi.

Alibia nr.4/ Fajin e kanë shqiptarët që japin lekë

Në vazhdën e justifikimeve që tori Kapisyzi, nuk kishte se si të mungonte edhe ai, se fajin e kanë shqiptarët që kur shkojnë nëpër spitale ju japin lek “me zor” bluzave të bardha.

“Nga ana tjetër kanë gjetur një terren ku mentaliteti i shoqërisë është i trashëguar në vite jo vetëm tek ne, por edhe në vende të tjera, ku shërbimi shëndetësor do të bëhet më i cilësor, nëse do japësh ndonjë gjë. Ky mentalitet nuk duhet të na bëjë që ne të ndihmojmë të lulëzojë Tirja dhe disa elementë të tjerë të Tires”, tha drejtori.

Pra fajin e kanë ata që japin para “ me zor” në shëndetësin falas të Edi Ramës, e madje edhe vdesin në kushte të dyshimta spitalin që drejton ai.

Ai që `vjedh lopën`, nuk ka asnjë faj!