Formula 1/ Lewis Hamilton pranë marrëveshjes për rinovimin e kontratës me Mercedes

Lewis Hamilton dhe Mercedes janë pranë marrëveshjes për të rinovuar kontratën të paktën edhe për një vit.

Duket se palët kanë dëshirë të vijojnë bashkëpunimin mes tyre, duke parë sukseset që kanë arritur vitet e fundit në Formula 1.

Piloti britanik ka ulur disi pretendimet e tij financiare, nga 45 milionë dollarë në sezon në 40 milionë dollarë.

Gjithsesi, ai ka kërkuar një kontratë 2-vjeçare, por me një klauzolë në favorin e tij, që të largohet nga Mercedes në fund të këtij viti.

Në rast se Hamilton do të qëndrojë edhe në vitin 2022, ai nuk do të ketë veton për shokun e ri të skuadrës në rast se Mercedes largon Valtteri Bottas dhe vendos të marrë një pilot tjetër (George Russell), për të rritur konkurrencën.

Britaniku do të heqë dorë nga 10% e bonusit që merr nga Mercedes si pasojë e premiove.

Së fundi, rinovimi i kontratës po arrihet edhe për shkak se marrëdhënia mes pilotit dhe drejtorit sportiv Toto Wolff është mjaft e mirë.