Pësoi humbjen e parë në pankinën e Kukësit/ Josa: Na mungoi vendosmëria...

Mirel Josa pësoi humbjen e parë në pankinën e Kukësit, pasi verilindorët u mposhtën me rezultatin minimal 0-1 ndaj Kastriotit.

Në një reagim për mikrofonin e Supersport, tekniku kryeqytetas ka mbetur i zhgënjyer në aspektin e grintës dhe vendosmërisë që treguan futbollistët e tij.

Një rezultat zhgënjyes ky i sotmi…
Sigurisht dhe është normale, pasi jemi skuadër e ndërtuar për të fituar dhe nuk mund të lejojmë paraqitje të tilla. Mendoj se në pjesën e parë bëmë mirë dhe patëm kontrollin e lojës, por edhe në ato raste që patëm për të shënuar, nuk goditëm me vendosmëri dhe nuk kërcënuam. Më pas gabuam në mënyrë naive në 2-3 raste të kundërshtarëve, përfshi edhe momentin e golit, ku gabuam në markim dhe në dalje, pasi lojtarët provuan të ikin nga zona pa dalë topi më parë.

Mendoni se goli përcaktoi edhe ecurinë e takimit më pas?
Jo, nuk ndryshoi aty, por unë sot nuk dua të justifikoj lojën dhe nuk do të merrem me arbitrimin, ndonëse kam rezerva. Kundërshtari u mbrojt tërë kohës dhe me të gjitha mënyrat, ndërsa ne ia bëmë të lehtë Kastriotit, pasi lojtarët tanë vinin ta merrnin shumë mbrapa topin. Në minutat e fundit provuat edhe me topa të gjatë, por nuk funksionoi.

Kur do ta shohim që këta futbollistë të luajnë si një skuadër e vërtetë?
Unë kam gjetur një grup të bashkuar, me lojtarët që qëndrojnë gjithmonë bashkë dhe dëgjojnë kapitenin e ekipit, ndaj nuk kam çfarë të shtoj në këtë drejtim. Edhe në aspektin e dëshirës për fitore, nuk mungonte asnjë futbollist. Ajo që ne na penalizoi është se luajtëm futboll vetëm në cektësi, jo në thellësi. Afër zonës luajti vetëm Eze, të cilin e lamë vetëm, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve largoheshin shumë për të marrë topin. Leira duhej të luante shumë më pranë portës kundërshtare dhe nuk e kuptova pse luante aq i tërhequr.

Skuadra duket se kërkon të fitojë vetëm në mënyrë akademike, pa vënë zemrën në fushë…
Edhe unë kam pretendimet e mia në këtë drejtim, pasi humbëm shumë dyluftime, sidomos në kthimin e topit të dytë, pasi ishim gjithmonë larg kundërshtarit dhe mund të them se na mungoi disi vendosmëria, sidomos e dy lojtarëve të qendrës së mesit të fushës.

A ka Kukësi mbrojtjen e duhur për të luajtur më në thellësi? A ndikoi agresiviteti i krutanëve në lojën e futbollistëve tuaj?
Sigurisht që arbitri bëri disa gabime, pasi duhej të kishte nxjerrë kartonin pak më shpesh në minutat e para, për të mos u lënë mundësi futbollistëve kundërshtarë të bënin aq shumë faulle. Megjithatë unë dua të përqendrohem te ato aspektet që thamë, si vendosmëria grinta në fushë. Në sulm duhet të shkojmë në mënyrë akademike, për të qenë të rrezikshëm, por duhet të fitojmë më shumë dyluftime, sidomos në mesin e fushës.