Presidenti Meta reagon pas ndarjes nga jeta të ikonës së Skënderbeut

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të ikonës së klubit të Skënderbeut, Milutin Kërçiç.

Meta thotë se Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.

Postimi i Presidentit Ilir Meta

Mësova me hidhërim lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej legjendave të "Skënderbeut" dhe futbollit shqiptar, Milutin Kërçiç, idhullin e shumë fëmijëve korçarë të viteve '70-'80, të vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm nga të gjithë sportdashësit dhe ne, që patëm fatin ta shihnim në fushën e blertë.
Model i lojtarit korrekt në fushë, virtuoz me topin dhe i dalluar për teknikën e rrallë, Milutin Kërçiç do kujtohet gjithmonë me respekt për kontributin e veçantë të dhënë për zhvillimin cilësor të futbollit shqiptar, shembull frymëzues për vlerat e veçanta sportive dhe qytetare, që përfaqësonte.
Ngushëllime të sinqerta familjarëve, kolegëve dhe të gjithëve sportdashësve për këtë humbje të pazëvendësueshme.