Superiore/ Kukësi sfidon Kastriotin, fitorja i rikthen në garën për titull

Këtë të dielë do të luhet edhe sfida e mbetur e javës së 18-të në Kategorinë Superiore.

Kukësi pret në “Loro Boriçi” Kastriotin, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft e luftuar.

Verilindorët vijnë pas tre fitoreve radhazi dhe e fundit ishte me rezultatin e pastër 0-4 në Korçë, në ndeshjen debutuese të Mirel Josës në pankinë, me teknikun kryeqytetas që bëri disa ndryshime edhe në rreshtim, për t’i dhënë një tjetër fytyrë skuadrës në fushë.

Aktualisht Kukësi ka grumbulluar 26 pikë dhe me një fitore sot, do të shkonte 8 pikë larg kreut, çka do t’i hapte oreksin për të menduar sërish për titullin kampion, megjithatë më parë duhet të mendojë për sfidën e sotme ndan krutanëve, që kanë një grintë për t’u admiruar dhe mund t’u hapin jo pak punë.

Nga ana tjetër Kastrioti ka grumbulluar 21 pikë dhe pozicionohet në një zonë të qetë të renditjes, shumë larg zonës së ftohtë, megjithatë për mbijetesën çdo pikë është e vlefshme, ndaj një barazim në një transfertë të vështirë si kjo, do të merrte vlerat e fitores.