Lajm i trishtë nga Korça, ndahet nga jeta ikona e Skënderbeut

Një lajm i trishtë vjen nga bota e futbollit që ditën e sotme është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 63 vjeçare legjenda e Skënderbeut, Milutin Kërçiç.

Ai vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë që mbrëmjen e djeshme i mori jetën, duke e larguar nga kjo botë.

Kërçiç ka mbetur në zemrat dhe mendjen e të gjithë tifozëve korçarë, sidomos të atyre të viteve 70’-80’, ku ishte një prej më të dalluarve të brezit të artë të asaj kohe. Me talentin që shfaqte në fushë, ai bëri që shumë sportdashës të dashuroheshin me lojën që bënte.

Në sezonin 2010-2011, Kërçiçi ishte edhe pjesë e stafit teknik të Skënderbeut, si dhe ndihmësi i parë i ish-trajnerit Shpëtim Duro. Edhe me ardhjen e teknikut çek Stanislav Levi, Milutini vazhdoi punën pranë skuadrës si ndihmës trajner, por edhe si përkthyes për lojtarët sllavë që luajnë te kjo skuadër, duke patur një meritë të madhe në ndërtimin e Skënderbeut të lavdishëm që bëri krenar gjithë shqiptarët anë e mbanë botës.