Duka: Qeveria ka hyrë në ethet e zgjedhjeve, s’ka plotësuar asnjë kërkesë për futbollin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dha një prononcim për mediat pas ceremonisë së nisjes së Kampionatit të parë të Futbollit për Femra U-15, teksa ndoqi edhe dy ndeshjet e para që u luajtën në kompleksin “Olympic Park – Durrës”.

I pyetur për çështjen e kërkesave që klubet e futbollit i kanë drejtuar qeverisë muaj më parë, Duke komentoi: “Nuk është realizuar ende asnjë nga kërkesat që komuniteti i futbollit i ka drejtuar qeverisë. Tani qeveria ka hyrë në ethet e fushatës elektorale dhe e shoh të vështirë të bëhet ndonjë lëvizje pozitive në këtë drejtim deri më 25 prill. Uroj që pasi të mbarojnë garën e ethshme dhe dëshirën e madhe të tyren për një post qeveritar apo për të qeverisur vendin të mendojnë edhe për futbollin”.