Bundesliga/ Bie Dortmundi, Bayernin e ndjek vetëm Leipzig

Skuadra anti-Bayern në këtë sezon të Bundesligës është vetëm Leipzig.

Formacioni i Julian Nagelsmann triumfoi lehtësisht me rezultatin 0-3 në transfertën ndaj Schakes së vendit të fundit, duke e ngushtuar në 7 pikë diferencën me Bayernin kryesues.

Golat për Leipzig u realizuan nga Mukiele, Sabitzer dhe Orban.

Vijon rënia e lirë për Borussian e Dortmundit, që pësoi humbjen e 8-të sezonale, pasi u mposht në transfertën ndaj Freiburg me rezultatin 2-1.

Goli i talentit 16-vjeçar Moukoko nuk u mjaftoi verdhezinjve për të evituar këtë disfatë të radhës në kampionat me zonën Champions që tashmë po bëhet një mision i vështirë për Dortmundin.

Pas dy humbjeve rresht u rikthye te suksesi Bayer Leverkusen që mposhti në “Bayer Arena” me rezultatin e thellë 5-2 Shtuttgart, në një ndeshje ku shkëlqeu mesfushori Kerem Demirbay me një dygolësh.

Vazhdoi ecurinë pozitive edhe Wolfsburg, që mori fitoren e 4-t rresht, pasi triumfoi në transfertën ndaj Augsburg me rezultatin 0-2, duke ruajtur vendin e 3-të në renditje tashmë me 38 pikë.