Partizani fiton ndaj Bylisit dhe i afrohet kreut, Tirana bën detyrën me Skënderbeun

Kanë përfunduar dy ndeshje të javës së 18-të në Kategorinë Superiore.

Tirana fitoi me rezultatin e pastër 2-0 ndaj Skënderbeut në “Selman Stermasi”. Golat e takimit për bardheblutë u shënuan nga Taulant Seferi në minutën e 10-të dhe Erion Hoxhallari në minutën e 18-të.

Me këtë fitore, Tirana u ngjit në vendin e 5-të me 26 pikë, ndërsa Skënderbeu vazhdon të mbajë vendin e fundit në renditje, me 12 pikë të grumbulluara.

Fitore arriti dhe Partizanit, që mposhti Bylisin 2-1 në transfertë. Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola. Vlen për t’u theksuar se ballshiotët humbën një penallti në 45 minutat e para.

Në pjesën e dytë u realizuan, plot tre gola me “të kuqtë” që kaluan në avantazh në minutën e 56-të, falë golit të shënuar nga Erald Çinari nga pika e bardhe e penalltisë. Në minutën e 80-të, skuadra e Ilir Dajës dyfishoi rezultatin, me Tedi Carën.

Mirëpo, Bylis nuk u dorëzua dhe 4 minuta nga fundi ngushtoi shifrat, me Xhoi Carkanjin. Megjithatë, rezultati i takimit nuk ndryshoi me Partizanin që tashmë qëndron 6 pikë prapa Vllaznisë kryesuese, ndërsa Bylis mbetet në vendin e parafundit të renditjes me pikë të barabarta me Skënderbeun e vendit të fundit.