Skandali/ Ministria në Shqipëri vonoi letër-porosinë, lirohet në Dubai Plaurent Dervishaj

Ministria e Drejtësisë ose ajo e Jashtme (ende nuk është zbardhur) duket se kanë nxjerrë blof një nga hetimet më të bujshme të fundit të SPAK, i cili rezultoi me zbardhjen e dy vrasjeve të bujshme vite më parë nga e ashtuquajtura banda e Durrësit.

Kështu mësohet se autoritet e drejtësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe në Dubai, kanë vendosur të lirojnë nga burgu, Plaurent Dervishaj, personin e kërkuar nga prokuroria e posaçme SPAK, si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Klodian Saliut, në 25 shkurt 2005 në Durrës.

Lajmi për lirimin e Plaurent Dervishaj në Dubai, është konfirmuar për mediet edhe nga burime të Policisë së Shtetit, të cilat thanë se tashmë, i konsideruari si numri 2 i bandës së Durrësit, është liruar nga qelia, për shkak të mbërritjes me vonesë të letër-porosisë nga Shqipëria në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë në Dubai.

Për të sjellë në Shqipëri përpara drejtësisë Dervishajn i cili pasi u arratis u kap nga Interpol në Dubai, SPAK, ka ndjekur parimin e reciprocitetit për ekstradimin e tij, ku palët ishin në bisedime për të arritur një marrëveshje për ekstradimin e tij në Shqipëri.

Por gjithçka ka dështuar për shkak të mbarimit të afatit 40 ditor të qëndrimit në burg, kohë kjo që nevojitej për të shkuar letër-porosia nga Shqipëria.

Kërkesa e ministrisë së Drejtësisë nuk ka shkuar në kohë, ndaj një gjykatë në Dubai, ka vendosur të lirojë Plaurent Dervishaj nga burgu.

Burime pranë SPAK, ka thënë se letër-porosia nga ana e tyre është përpiluar dhe dërguar në kohë në ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, si institucionet përgjegjëse për ekzekutimin e saj me qëllim ekstradimin nga Dubai në Tiranë, të Plaurent Dervishaj.

Ende në këto moment nuk dihet se në cilën zyrë të dy institucioneve të mësipërme, ka ngecur letër-porosia e SPAK, e cila më pas ka shkuar me vonesë në adresë të autoriteteve të Drejtësisë në Dubai.

Pavarësisht kësaj situate ku njëri prej personave kryesorë të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut, është liruar, prokuroria e posaçme SPAK, vijon hetimet në Tiranë, për dy ngjarjet e bujshme të ndodhura në muajin shkurt 2005, ku mbetën të vrarë Klodian Saliu në Durrës dhe Vajdin Lamaj në Tiranë.

Për këto dy ngjarje në 15 janar 2021, u ekstradua nga Kosova në Tiranë, njëri nga anëtarët e këtij grupi, Indrit Taullai, ndërsa vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar Lulzim Berisha.

Momentalisht në burg për dy ngjarjet janë Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.

Mes personave të arrestuar është dhe Luftar Reçi, njeriu që fillimisht ka bashkëpunuar me prokurorinë e posaçme SPAK, duke treguar detaje për dy krimet.