'Përditë pendohem që u ktheva nga Franca': Kryemjekë të QSUT kërkojnë nga Basha 'dritë në fund të tunelit'

Mjekët, pjesa më e madhe e tyre shefa shërbimesh në QSUT, gjatë prezantimit nga kreu i opozitës Lulzim Basha të Programit të PD-së për Shëndetësinë, dhanë vlerësimet e tyre për programin por edhe sygjerimet e tyre në lidhje me atë se si duhet të veprojë qeveria e ardhshme me shëndetësinë.

“Mund t’ju them që, ne e diskutuam me kolegët që në mëngjes programin në tërësi, pikat kryesore që i paraqitet ju dje në televizor dhe në përgjithësi ka një jehonë të mirë me një fjalë kështu sigurisht pastaj detajet do parë ajo e madhja, por duke qenë mos t’ju marr kohë, shtoj dhe katër pika ose katër pika që do më dukeshin shumë të rëndësishme për t'u përfshirë në programin, të detajohen akoma më shumë.

E para një herë siç e përmendët juve para se të vinin kamerat ishte ajo e stabilizimit.

E para të zhbëhet ky tmerr që është bërë dua të them për spitalet sepse nuk e di për ambulancat ku drejtojnë koordinatorë, administrator dreqin e të birin që nuk merren vesh që s'kanë lidhje me mjekësinë dhe spiunë biles që vijnë nëpër... kështu që t’i jepet mjekut që kjo është pa lekë, t’i jepet mjekut vendi që i takon dhe jo 100% por dhe për decentralizimin. Tani dhe një gjë për më kot së koti duhet të vesh në drejtori e ministri që t’i hiqet dorë nga kjo shpikja monstruoze që të bëhet Infermiere për Shqipërinë.

Tani për të marrë drejtori, po të themi i Beratit, një infermiere se i kanë ikur tre në Gjermani, le të presë që t’i bëjë Ministria! Ky është skandal i vërtetë, kjo them që bëhet shumë thjesht dhe s’ka nevojë për lekë.

Tani kam dhe tre propozime që janë me pak lekë.

E para punës një herë në kundërshtim me këtë Check-Up idiot që është bërë, që s’e bën as Danimarka, ne kemi nevojë për një Check-Up tjetër lloji që është depistimi i fëmijëve të porsalindur.

E dyta, në përgjithësi qeveritë dhe në mënyrë të veçantë këto që janë me fjalë kanë një mediokritet, një çudi e madhe, nuk kanë as vesh të dëgjojnë kujtojmë ato të Fatos Lubonjës sikur e kanë origjinën nga krokodili vetëm llapën të madhe veshin të vogël - edhe kam bërë disa kontakte për hir të vërtetës me drejtuesit me dashamirësit se ne jemi profesionistë edhe bërja e punëve të mira është mirë për të sëmurët, tani ble skaner, ble rezonancë edhe pune e madhe, ka nevojë për qeveria për të blerë skaner apo për të rregulluar një qendër shëndetësore ku di unë në Burgajet, edhe ai drejtori jepi nja dy lekë edhe e bën vetë ai”, - u shpreh Prof. Paskal Cullufe .

“Karta e shëndetit është një histori e vjetër. Karta e shëndetit ka filluar në 2006 për herë të parë, në 2008 ka qenë marrë vendimi i qeverisë së asaj kohe që në një numër me kartën e identitetit të kishim kartën e identitetit, të kishim kartën shëndetësore pra numrin shëndetësor dhe kodin fiskal. Shëndetësia nuk u bë. Për mendimin tim nuk u bë për arsye korruptive. E kam ruajtur këtë pikëpamje prej 10 vitesh. Nuk u bë shëndetësia. U bë kodi fiskal, u bë karta e identitetit, aktualisht të gjithë futemi në e-Albania me kodin tonë dhe dalin taksat tona. Po shëndetësia? Pse nuk u bë shëndetësia?

Karta e shëndetit është e domosdoshme, është lehtësisht e bëshme, është e vërtetë që paraja duhet të ndjekë pacientin jo pacienti paranë. Por asgjë nuk mund të bëhet në qoftë se doktori kthehet në top leshi që kur e shikojmë rrugës i fut një shkelm dhe asgjë nuk bëhet në qoftë se pacienti shikohet si klient.

Për të ardhur te koncepti i spitalit ndërmarrje. Nuk ka spital ndërmarrje. As fakultet ndërmarrje nuk mund të ketë. Pse? Sepse arsimi dhe shëndetësia janë të mira publike dhe kemi për detyrë dhe është në kushtetutën tonë, kemi për detyrë që të sigurojmë për shëndetësinë dhe arsimin dhe ata që nuk kanë para t'i shkollojmë, dhe ata që s’kanë para t’i trajtojmë.

Nuk mund të ketë trajtime preferenciale, ky është i deputetit, ky është i kryetarit, ky është i atij që ka para, ky të shkojë në Turqi, ky të shkojë. Pra do vullnet politik kjo punë. Nuk mund të bëhet më duke, pra është shumë i rëndësishëm vullneti politik”, - tha Arben Ivanaj, shef i Shërbimit të Hematologjisë.

Pasi dëgjoi shqetësimet e ekspertëve më të mirë të shëndetësisë në vend, Basha tha se angazhimet e tij nuk janë premtime, por masa konkrete që synojnë të vendosin stabilitetin në sistemin shëndetësor dhe të frenojnë hemoragjinë e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë.

“Drita në fund të tunelit duhet të përkthehet në masa konkrete se me poezi dhe me premtime fallco, ata as nuk rrinë, as nuk kthen ata që kanë ikur. Prandaj ne jemi përpjekur të jemi në një rrafsh sa më konkret. Folëm për stabilizimin meqë jemi në fushën tuaj.

Gjëja e parë, duhet stabilizuar gjendja. Stabilizimi nuk mund të vijë me rrogat që keni aktualisht. Pra, kjo nuk është sakrificë. E kundërta do ishte vrastare për shoqërinë.

Në qoftë se ne nuk arrijmë këtë nivel të rrogave, 1200 për mjekët, 700 për infermierët, 950 për mjekët specializantë, atëherë nuk ka absolutisht asnjë shans për të ndalur largimin e mjekëve në ato nivele që ne mund të kapim edhe vendet më të varfra të Afrikës.

A e zgjidh kjo në vetvete problemin ë! Jo. Njësoj si ndalja e hemoragjisë, më falni se po futem në fushën tuaj, nuk do të thotë që pacienti u kurua.

Hapi i parë, stabilizim, është stabilizimi. Por pa këtë hap as mund të bëhet fjalë për diçka tjetër. Po nuk ndale hemoragjinë, të rrofshin në qoftë se bëhesh gati për operacion apo për të futur serumin apo për të bërë një ndërhyrje sepse pacienti vdes. Dhe shëndetësia shqiptare është në gjendje kome.

Me këto ritme, në qoftë se ne nuk ndalim këtë shpopullim të personelit shëndetësor, nuk ka për të pas më shëndetësi për të shpëtuar. S’do ketë më shëndetësi, pikë. Do kthehemi 80 vjet përpara jo 30 vjet përpara. Dhe kjo është e papranueshme. Cilat janë dy masat konkrete ë! Rritja e me efekt të menjëhershëm e pagave të mjekëve deri në 1200, të infermierëve deri në 700 euro dhe të mjekëve specializantë 950 euro. Dhe hapi i dytë, rritja e kapaciteteve trajnuese për mjekë, për më shumë mjekë.

Pastaj kemi një seri masash të cilat do të synojnë reformimin e ambientit të spitaleve publike, të ambientit të punës që nga pajisjet, investimet, trajnimi që përmendi profesori dhe pa diskutim edhe politikat e tjera të shëndetit publik që do të kenë edhe të bëjnë me shërbimin, qoftë rajonalizimin e shërbimit spitalor, qoftë aksesi te mjeku i familjes sepse e thatë me të drejtë që mjeku i familjes duhet të jetë i aksesueshëm në një distancë të arsyeshme për popullsinë në vend.

Jemi një vend i vogël por me terren të thyer, pavarësisht se ka pasur një përqendrim të madh demografik 30 vitet e fundit se jemi të gjithë dëshmitarë, prapë se prapë shteti e ka për detyrim të subvencionojë në masën e mjaftueshme që të garantojë aksesin tek hallka e parë që është mjeku i familjes për çdo banor të Shqipërisë, pavarësisht se ku jeton”, - tha Basha.