Tabaku i kthehet Ramës: Sa herë dështon, shpall ndërtime imagjinare portesh e aeroportesh!

Jorida Tabaku, një nga hartueset e Programit të PD "Shqipëria fiton", i ka kthyer përgjigje flakë për flakë, sulmeve kundër opozitës që kreu i Qeverisë, Edi Rama bëri sërish sot nga Gjirokastra. Më herët ai ironizoi nga Tepelena, Programin e PD "Shqipëria fiton", si "një menu për të ofruar pjata imagjinare për të gjitha kategoritë e njerëzve..."

Por, Tabaku nuk ia kurseu "imagjinaren" dhe e përballi me faktet: "Rama nuk ka një bilanc të qeverisjes, pas 8 vite dështimesh ai ka dalë nëpër Shqipëri duke sulmuar opozitën, - shkroi Tabaku në Fb. -  Sepse ky është dhe plani i vetëm që ka. Sa herë dështon Rama shpall ndërtimet imagjjnare të porteve dhe aeroporteve. Pas çdo dështimi ai nis të sulmojë planin e PD. Ndërkohë angazhimet tona janë konkrete dhe të realizueshme.

Ne do t’i ofrojmë 650.000 pensionistëve jo më lëmoshën Rama, por një pension dinjitoz dhe mbi të gjitha një rritje të pensioneve çdo vit minimalisht 5%.

Do t’i rrisim pagat për arsimin me 60% dhe nga kjo politikë do të preken së paku 36 mijë arsimtarë.

Do të rrisim pagat e 4500 mjekëve në 1200 euro ndërkohë që pagat e 14 mijë infermierëve do t’i çojmë në 700 euro.

Ne jemi angazhuar se do të marrim vendime të vështira dhe do të zhbëjmë abuzimet 8 vjeçare korruptive me kosto për buxhetin e shtetit. Janë milionat e eurove korruptive që gjenden në buxhet dhe keqpërdoren nga qeveria.

Shqipëria Fiton kur shqiptarët jetojnë më mirë, kur buxheti i shtetit nuk vidhet. Edi Rama humbet kur praktikat korruptive që i kushtojnë shqiptarëve 7.2 mld euro do t’i rikthehet familjeve të shqiptarëve. Prandaj në 25 prill shqiptarët do të votojnë për një Shqipëri që fiton,"e përfundoi reagimin e saj, Jorida Tabaku.