Meta përkujton Tragjedinë e Fekenit, 40 vjet nga rënia e ushtarakëve në krye të detyrës

Nga Ilir Meta.

Në 40-vjetorin e Tragjedisë së Fekenit, rënies në krye të detyrës së 11 pedagogëve dhe studentëve të ish-Shkollës së Lartë së Bashkuar të Oficerëve, nderojmë sot me respektin më të lartë, kujtimin e Dëshmorëve të paharruar: Komandant Batalioni Dushan Shametaj, Inspektor Planizimi Çlirim Pulaj, Pedagog Nikollaq Bero dhe studentëve Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa dhe Bujar Ago.

Ndarja e tyre nga jeta në mënyrë tragjike, më 6 shkurt 1981, për shkak të katastrofës natyrore të ndodhur gjatë stërvitjes dimërore, tronditi rëndë opinionin publik të kohës, për t'u përkujtuar si ngjarje e paharruar në historinë e Forcave tona të Armatosura, dëshmi e sakrificës sublime dhe e ndjenjave më të pastra vetëmohuese, të trimërisë dhe guximit, të efektivëve nën uniformë.

Mendimet e mia janë sot me familjarët e Heronjve dhe me ish-ushtarakët e plagosur, të cilët fatmirësisht i mbijetuan tragjedisë për të mbetur dëshmitarë të gjallë të saj.

Mirënjohje të gjithë efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e sa më shumë jetëve, në atë fatkeqësi të madhe.