Sot/ Luhen tre ndeshje të javës së 18-të në Kategorinë Superiore

Kategoria Superiore zbret sot në fushë për ndeshjet e javës së 18-të

Pas duelit mes Vllaznisë dhe Laçit (0-1), tre sfida të tjera do të luhen këtë të shtunë, të ndara në dy orare.

Në orën 13:45 do të luhet ndeshja mes Bylisit dhe Partizanit. Duke parë që Vllaznia u ndal, skuadra e Ilir Dajës do tentojë fitoren përballë ballshiotëve për t’iu afruar në renditje shkodanëve.

Megjithatë, “të kuqtë” nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi Bylis ka ditur të na surprizojë ndaj kundërshtarëve më të fortë në letër.

Në të njëjtën orë, do të luhet edhe sfida mes Tiranës dhe Skënderbeut, me Orges Shehin që sfidon të shkuarën e tij.

Edhe pse korçarët pozicionohen në vendin e fundit dhe pak ditë më parë ndryshuan trajnerin duke ia besuar stolin Migen Memellit, për bardheblutë ky takim nuk do të jetë aspak i lehtë.

Në orën 16:45, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, do të luhet sfida mes Teutës dhe Apolonisë.

Bregdetarët vijnë nga një humbje me Laçin, dhe tri pikët në ndeshjen e sotme do t’i shërbenin për të ngritur moralin. Por, fierakët vijnë me qëllimin për të dalë me pikë nga kjo sfidë, e cila në letër anon dukshëm nga Teuta.