Pas lindjes, Gigi Hadid tregon se nuk e ndjen nevojën për të qenë masa XS

Mëmësia e ka ndryshuar paksa trupin e Gigi Hadid, duke e rritur masën e rrobave të saj me më shumë se një numër.

Pasi solli në jetë vajzën Khai në shtator, supermodelja 25-vjeçare thotë se po rishikon marrëdhëniet me trupin e saj.

"Unë e di që nuk jam aq e dobët sa isha më parë, por unë jam gjithashtu një mendimtare shumë realiste," i tha modelja revistës ‘Vogue’.

"Po, unë do të pozoj për kopertinën e Vogue, por unë padyshim që nuk do të jem me madhësinë XS (extra small), dhe as nuk ndiej se duhet të kthehem në atë madhësi”, shtoi ajo.

Në një video të 'Vogue' ku demonstronte rutinën e saj të kujdesit për lëkurën, Hadid gjithashtu tha se ajo përjetoi një ndryshim në pigmentim në fytyrën e saj, veçanërisht rreth syve të saj, gjatë shtatëzënësisë, dhe vendosi që "thjesht ta linte të ndodhte".

“Është e natyrshme! E dija që do të zhdukej pasi të lindja. Mendoj që thjesht nuk duhet të jesh i ashpër ndaj vetes dhe të mendosh se e gjitha është pjesë e procesit,” tha ajo.