Reagimi i sponsorit të Vllaznisë pas humbjes me Laçin në ‘Loro Boriçi’

Sponsori i Vllaznisë, Alban Xhaferi, e ka cilësuar si një ndeshje për t’u harruar sa më shpejt atë të sotmen ndaj Laçit.

Para gazetarëve, ai ka pranuar se ishte i pakënaqur nga ajo që kishte parë në fushë nga ekipi i tij, sidomos sa u përkiste gabimeve të pjesës së dytë.

Ai bëri të qartë se nuk ka masa disiplinore për humbjen, teksa bëri thirrje për qetësi, sepse ekipi ishte plotësisht brenda objektivave të vet.

“Normalisht nuk jam i kënaqur me performancën e skuadrës sonë se u pa sidomos në pjesën e dytë se pati disa gabime. Duhet ta harrojmë sa më shpejt këtë ndeshje. Normalisht do të bëhet analiza nga grupi teknik për të.

Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë duke vlerësuar ndeshjen e ardhshme në mënyrë që të arrijmë objektivat. Kampionati është i gjatë, jemi ende herët për të folur.

E kam theksuar që euforinë e tifozëve nuk mund ta ndalim, por do të bëjmë gjithmonë më të mirën se ndeshjet bëhen çdo ditë e më të vështira dhe të gjithë janë mobilizuar për të mundur Vllazninë. Por ne nuk kemi frikë asnjë ekip.

Objektivi? Objektivat janë bërë që kur është krijuar ekipi, minimalisht pjesëmarrja në Europë, në këtë gjë jemi në rrugën e duhur. Por ne do të ecim gjithmonë me objektivin e lartë, pse jo edhe titullin e Kupën, por edhe pozicionet më poshtë, pasi objektivi minimal është për të kapur Kupat e Europës.

Loja ishte e bukur por pati gabime, kjo është pjesë teknike që nuk mund ta analizoj shumë. Do të mundohemi të motivojmë skuadrën të ecë përpara dhe të harrojmë këtë ndeshje.

A ka gjoba? Bonusi është diçka simbolike për të motivuar për më lart, nuk mendoj se është momenti për të folur për gjëra të tilla”, tha Xhaferi.