Dritan Laci: Vllaznia me shterpësi serioze në sulm, pa gola nuk shkon dot gjatë

Gazetari Dritan Laci në Syri Tv me moderatoren sportive, Enkeleida Zeko, ka bërë një prognozë të kampionatit deri në këtë fazë të zhvillimit të tij, kur luhet java e fundit e fazës së dytë.

Sipas Lacit, kryesuesja e kampionatit, Vllaznia e Shkodrës, pavarësisht renditjes që e mban në krye të distancuar nga ekipet e tjerë, do ta ketë të vështirë të mbajë këtë ritëm.

Gazetari ka dhënë si argument, faktin që Vllaznia ka një shterpësi të dukshme në fazën sulmuese, ku në 6 ndeshjet e fundit, ka realizuar vetëm 4 fitore minimale me 1 gol ndërkohë që në dy ndeshjet e fundit pa përfshirë Laçin ka barazuar pa gola.

“Duhet kuptuar që Vllaznia pavarësisht renditjes dhe pikëve që e mbajnë të distancuar nga ekipet që e ndjekin, ka një shterpësi të dukshme në sulm. Me lejoni t’ju kujtoj që Vllaznia në 6 ndeshjet e fundit edhe pse ka fituar 4 ndeshje dhe barazuar 2, ka shënuar vetëm katër gola. Sigurisht që fati, balta si në ndeshjen e Partizanit, nuk mund të të ndihmojnë të vazhdosh gjatë me këtë ritëm. Për më shumë kur ekipet poshtë kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për tu përmirësuar”.

I pyetur se kush do të jenë rivalët e Vllaznisë, Laci përmendi grupin e ‘çiklistëve’ që ndjekin nga pas Shkodrën, duke përfshirë Partizanin, Teutën, Laçin dhe Kukësin, por duke përjashtuar Tiranën të cilën nuk e shikon si të avantazhuar me lojën që prodhon.

“Me përfundimin e fazës kemi tashmë një grup ekipesh të ravijëzuar të cilët i janë vënë në ndjekje Vllazninë. Në këtë grup do përfshija Partizanin, Laçin, Teutën dhe Kukësin, kurse Tirana është ende larg pritshmërie”.

Një kampionat interesant për Lacin po luhet edhe me trajnerët. Madje ai e quajti një garë të dytë brenda garës për titullin kampion.

“Kjo është një garë shumë interesante që të ndodh ta shikosh vetëm në kampionate si Shqipëria, ku trajnerët në një ekip mund të ndërrohen edhe disa herë brenda një sezoni. Me ardhjen e Josës te Kukësi dhe me Duron te Laçi, Dajën te Partizani, apo Martini te Teuta dhe Berdariç te Vllaznia, ka një intrigë më shumë kush do triumfojë”.

Laci bëri edhe një prognozë të merkatos, duke e cilësuar si të pazakontë.

“Kjo që ndodh në Shqipëri, ku gjatë janarit kemi largime dhe afrime të shumta, nuk ndodh në asnjë ligë profesioniste. Mund t’ju kujtoj që ka ekipe që kanë marrë deri në 8 lojtarë dhe kanë larguar po aq, ndërsa në ligat profesioniste lëvizje në merkaton e janarit janë 3 hyrje-3 dalje. Ndërsa këtu një ekip përmbys të gjithë organikën në janar”.

Lidhur mbi fundin e renditjes, Laci e quan tashmë një garë të konfirmuar midis tre ekipeve, ku gara do të jetë kush do të mbijetojë.