Meta: Pandemia po del jashtë kontrollit! Qeveria mos ti trajtojë qytetarët për statistika

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj qeverisë, pas rritjes së frikshme të rasteve dhe viktimave nga Covid në vendin tonë.

Meta ka theksuar se në 24 orët e fundit është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër dhe një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.

Sipas tij, qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit, pasi çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.

Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.

Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.

Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura.

Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.

Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.

Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.

Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.

Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës.

Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme.

Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID.