‘Lamtumirë Kampion!’/ Mesazhi prekës i Presidentit Meta për ndarjen nga jeta të Arben Fagut

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të trishtë të ndarjes nga jeta të ish-basketbollistit dhe ish-trajnerit të Partizanit, Arben Fagu.

Presidenti Meta thotë se ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Fagut “është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij”.

“Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm”, thekson kreu i shtetit.

Postimi i plotë i Presidentit Meta

“Ndarja e parakohshme nga jeta e Profesor Arben Fagut është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për sportin shqiptar, veçanërisht për basketbollin, që i përkushtoi të gjitha energjitë e tij.

Lojtar virtuoz i “Dinamos”, “Partizanit” dhe i Ekipit Kombëtar, i dalluar për shpirtin e garës, forcën e karakterit dhe nivelin e lartë sportiv, Profesor Fagu spikati edhe si trajner i përkushtuar e pasionant, duke merituar vlerësimet dhe duartrokitjet e sportdashësve.

Të gjithë ne, të cilët e njohëm nga afër, humbëm një mik të sinqertë, ndërsa sporti një personalitet të pakrahasueshëm.

Ngushëllimet më të ndjera për familjen e dashur Fagu, kolegët dhe të gjithë nxënësit e tij.

Të prehet në paqen e merituar dhe kujtimi i tij të jetë gjithmonë i paharruar!

Lamtumirë Kampion!”.