Tragjedi në Rumani/ Foshnja 6 javëshe humb jetën pas ritualit ortodoks të pagëzimit, shpërthen rrjeti

Një foshnjë ndërroi jetë pas një ceremonie që kërkon zhytjen e tyre tre herë në ujë të shenjtë, në Rumani.  

Kisha Ortodokse e këtij vendit po përballet me një presion në rritje për të ndryshuar ritualet e pagëzimit.

Sipas The Guardian,  foshnja gjashtëjavëshe pësoi një arrest kardiak dhe u dërgua me urgjencë të hënën por vdiq disa orë më vonë.

Lidhur me këtë rast, prokurorët kanë hapur një hetim vrasjeje pa paramendim kundër priftit në qytetin veri-lindor të Suceavas.

Një peticion në internet që bën thirrje për ndryshime në ritual kishte mbledhur më shumë se 56 mijë nënshkrime deri të enjten në mbrëmje.

“Vdekja e një foshnje të porsalindur për shkak të kësaj praktike është një tragjedi e madhe”, thuhet në një mesazh të peticionit.

Mediat lokale raportuan disa incidente të ngjashme në vitet e fundit. Zëdhënësi i kishës Vasile Banescu tha se priftërinjtë mund të hedhin pak ujë në ballin e foshnjës në vend të zhytjes së plotë.

Por Kryepeshkopi Teodosie, udhëheqësi i krahut tradicionalist i Kishës, tha se rituali nuk do të ndryshonte.