FOTO/ Basha takon ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut: Ditë e veçantë...

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani se kanë diskutuar për sfidat aktuale që po kalojnë dy vendet në përballimin e pandemisë.

Basha tha se është obligim moral i qeverisë shqiptare që të bashkëpunojë me shqiptarët kudo ku ndodhen ndërsa shtoi se e veçanta  e vizitës së sotme qëndron te fakti se Bujar Osmani është ministri i parë i Jashtëm nga Maqedonia që viziton vendin tonë.

“Folëm për sfidat aktuale që po kalojmë në përballimin e pandemisë dhe nevojë për ta thelluar bashkëpunimin dhe për të vazhduar rolin si dy shtete që janë përkrah në rrugën drejt NATO-s dhe së shpejt do të jenë përkrah në anëtarësimin drejt BE.

Është një obligim moral dhe kushtetues i republikës së Shqipërisë për shqiptarët kudo ku ndodhen.  Sot është një ditë e veçantë sepse mirëpresim ministrin e parë të Jashtëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut”, tha Basha.

Fjalët e plota:

Lulzim Basha: Kënaqësi të mirëpres doktor Bujar Osmanin, jo për herë të parë. E kam mirëpritur në detyrën e tij si zëvendës  kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot si ministër i jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe të bashkëpunimit në kuadër të integrimit europian të vendit, për sfidat aktuale që po kalojmë me menaxhimin e pandemisë si dhe për domosdoshmërinë për ta forcuar dhe  thelluar këtë bashkëpunim në të ardhmen me qëllim mirëqenien, punësimin e qytetarëve si në Shqipëri dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për të vazhduar së bashku rolin tonë si dy vend, si dy shtete të cilat kanë qenë krah për krah në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit  NATO dhe me siguri së shpejti  do të jenë krah për krah në rrugëtimin tonë  të sigurt  drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Natyrisht shpreha qëndrimet e njohura të Partisë Demokratike në mbështetje të rolit të  faktorit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si një faktor stabiliteti, si një garantues i stabilitetit politik i proceseve demokratike, i disa prej proceseve shumë të rëndësishme si Marrëveshja e Prespës që i hapi  rrugë më në fund anëtarësimit të plotë të fqinjit tonë lindor ne NATO.

 Po kështu edhe në proceset e tjera politike që ka një të bëjnë me integrimin europian të vendit dhe dëshirën dhe vullnetin tonë për të parë  realizimin e plotë dhe të gjithëansëhme të të gjitha masave dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit për sa i përket shqiptarëve të Maqedonisë padiskutim ky është një vokacion i përhershëm i Partisë Demokratike në opozitë dhe në qeveri dhe një  interes madhor i bashkëpunimit midis dy vendeve tona sigurisht dhe një obligim moral, politk dhe kushtetues i Republikës së Shqipërisë për shqiptarët kudo ku jetojnë.

Bujar Osmani: E falënderoj zotin Basha për këtë takim miqësor dhe konstruktiv. Është kjo vizita ime e parë zyrtare ne Republikën e Shqipërisë si ministër i Jashtëm.

Ashtu siç theksova paraprakisht në takimin e sotëm raportet tona ndërshtetërore moti kanë kaluar nivelin e  fqinjësisë së mirë, por janë shndërruar në një partneritet, në një miqësi të përhershme, një mbështetje të ndërsjellë të cilat i  tejkalon kufijtë e komunikimit zyrtar, por ka një afërsi ndërmjet njerëzve në dy anët e kufirit, ndërmjet bizneseve, ndërmjet sektorit civil, por edhe natyrisht  institucioneve dhe partive politike dhe  krejt kjo në interes të thellimit të bashkëpunimit bilateral por edhe impaktit rajonal që ky bashkëpunim reflekton më tej dhe aspiratave tona euro-atlantike.

Lulzim Basha: Dua ta theksoj edhe njëherë kënaqësinë e veçantë sepse ne me doktor Bujarin ne jemi takuar shpesh edhe gjatë kohës që shërbente si zëvendës kryeministër, por edhe në kohë të tjera ne Tiranë, në Bruksel, në Shkup e kudo tjetër, por sot është një ditë e veçantë.

Sot mirëpresim ministrin e parë  të Jashtëm shqiptar të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nga zemra dua t’ju uroj sukses në misionin e tij. Faleminderit shumë!

Bujar Osmani: Faleminderit shumë!