Partizani merr kryesimin, ja vlerat e skuadrave në Shqipëri

Partizani ka marrë kreun e renditjes si klubi më i vlerësuar në Superiore. Ditët e fundit, është bërë përditësimi nga “Transfermarkt”, detyruar dhe nga lëvizjet në merkato. Partizani ka afruar plot 10 futbollistë në janar, me Roberto Dominguez, Ferhan Hasanin dhe Stenio Zhunior që kanë shtuar ndjeshëm vlerën e “demave” në treg.

Plot 5.58 milionë euro vlerësohet ekipi i Partizanit, duke u renditur kështu në krye të renditjes me 10 ekipet e Superiores. Të kuqtë e drejtuar nga Ilir Daja ndiqen nga rivalët e Tiranës, që vlerësohen 5.30 milionë euro. Skuadra e Laçit, që mbante kryesimin para merkatos së janarit, ka zbritur në vend të tretë, me vlerën e futbollistëve kurbinas që shkon në 4.73 milion euro.

Në vend të fundit, renditet ekipi i Bylisit, me 2.45 milion euro, ndikuar pa diskutim dhe nga largimet e Valentino Muratajt dhe Donald Mëllugjës, me dy mesfushorët që iu bashkuan Partizanit në janar, për 85 mijë euro. Një gjë që bie në sy, është renditja e Vllaznisë, me shkodranët që mbajnë pozitën e pestë. Por me siguri, për ta ka rëndësi renditja e kampionatit, ku prej shumë javësh ruajnë kryesimin./ panorama sport