Pagat minimale në Europë, nga Danimarka e Italia që nuk kanë fare, të `luksi` i Luksembugut

Një pagë minimale “luksi” në Luksemburg! Bëhet fjalë për 2.202 euro në muaj, duke mbajtur sërish stafetën si vendi me pagën më të lartë minimale në Bashkimin Europian.

Raporti më i fundit i Eurostat mbi Pabarazitë në pagat minimale në BE, tregon se rezultojnë 3 ndarje për pagat minimale; nën 700 euro në muaj, 700 euro deri në pak më shumë se 1.100 euro në muaj, si dhe mbi  1.500 euro në muaj.

Eurostat flet për muajin janar 2021, ku 21 nga 27 shtetet anëtare janë pjesë e raportit, nisur nga fakti që Danimarka, Italia, Austria, Finlanda, Suedia dhe Qipro nuk kanë pagë minimale kombëtare.

Në kategorinë e parë të ndarë nga Eurostat, me pagë minimale më pak se 700 euro në muaj, kryeson Bullgaria, me 332 euro në muaj, 90 euro më shumë nga paga minimale në Shqipëri.

Rezulton se nga 21 shtetet anëtare të BE-së me pagë minimale në janar 2021, thuajse gjysma kanë një standard më të ulët se 700 euro.

Përkatësisht, renditja vijon si më poshtë:

Hungari 442 euro

Rumani 458 euro

Letoni 500 euro

Kroaci 563 euro

Çeki 579 euro

Estoni 584 euro

Poloni 614 euro

Sllovaki 623 euro

Lituani 642 euro

Ndërkaq, në pesë shtete të tjera anëtare, paga minimale varion nga 700 euro deri në pak më shumë se 1.100 euro. Përkatësisht, te kjo “e mesme e artë” bën pjesë Greqia, me 758 euro në muaj, Portugalia me 776 euro në muaj, Malta, me 785 euro në muaj, Sllovenia me 1.024 euro në muaj, si dhe Spanja, me 1.108 euro në muaj pagë minimale për janar 2021.

Sipas Eurostat, 6 vendet me pagën minimale më “të lakmueshme” rezultuan Franca, me 1.555 euro në muaj, Gjermania, me 1.614 euro në muaj, Belgjika, me 1.626 euro në muaj, Holanda, me 1.685 euro në muaj, Irlanda, me 1.724 euro, si dhe “qershia” mbi “tortën” e Bashkimit Europian, Luksemburgu./Scan