Partizani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Arben Fagut

Mëngjesin e sotëm u nda nga jeta ish-basketbollisti dhe trajneri i njohur i Partizanit, Arben Fagu.

Klubi i futbollit kryeqytetas i ka shprehur ngushëllime familjarëve të 65-vjeçarit që u nda nga jeta për shkak të një sëmundje të rëndë.

Reagimi i klubit të Partizanit:

Me keqardhje të thellë mësuam sot lajmin e ndarjes nga jeta në moshën 65 vjeçare të Arben Fagut, ish basketbollist dhe trainer i Partizanit dhe ekipit tonë kombëtar.

Beni është pinjoll i familjes së madhe Fagu, i biri i Besim Fagut një nga themeluesit e Klubit Partizani dhe vëllai i legjendës së koshit Agim Fagu. Arben Fagu nuk e tradhëtoi historinë e familjes duke qenë pjesë e pandarë e ngjyrave të kuqe dhe njëkohësisht ka dhënë një kontribut të madh me Kombëtaren shqiptare. Të gjithë karrierën e tij si sportist dhe trainer ai ia kushtoi Partizanit deri në momentet e fundit kur drejtonte ekipin e meshkujve të Partizanit.

Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe.

Lamtumirë kampioni ynë Arben Fagu.