Zbardhet udhëri i prokurorit për çështjen e Luana Vjollcës: Ajdin Morina i ka shkaktuar gjendje ankthi dhe frike...

Jemi mësuar ta shohim gjithmonë në mediat rozë, por ditë më parë moderatorja Luana Vjollca ishte pjesë e kronikës.

Moderatorja kishte kallzuar në prokurori 29 vjeçarin Ajdin Morina, pasi ai e përndiqte kudo.

Ndërsa me datën 2 shkurt prokurori ka urdhëruar regjistrimin e procedimit penal.

Në urdhër theksohet se Luana Vjollca ishte paraqitur edhe me datë 1 shkurt dhe ka kallëzuar se shtetasi Ajdin Morina e kishte shqetësuar shumë me përndjekje dhe aktualisht ishte në një proces gjyqësor, me të cilin nuk kishte mbaruar akoma dhe nuk ishte marrë ndonjë vendim në lidhje me kallëzimin e saj të parë.

Urdhër për regjistrimin e Procedimit Penal 

Në Tiranë, viti 2021, muaji shkurt, data 02. Unë Enklid Gjini, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pasi studiova aktet e kallëzimit penal nr. 1336, konstatova: Më datë 01.02.2021, rreth orës 21:30 është paraqitur shtetasja Luana Vjollca, e cila ka kallëzuar se shtetasi Ajdin Morina e kishte shqetësuar shumë me përndjekje dhe aktualisht ishte në një proces gjyqësor, me të cilin nuk kishte mbaruar akoma dhe nuk ishte marrë ndonjë vendim në lidhje me kallëzimin e saj të parë.

Ajo kallëzoi se shtetasi Ajdin Morina ka qenë më datë 31.01.2010 në rezidencën ku banon shtetasja Luana Vjollca, por nuk e kishin lënë shërbimet e sigurisë që ai të hynte. Shtetasi Ajdin Morina ishte larguar pas disa kohësh, por ai kishte kërkuar që të takohej me Luanën pasi ishte një fans i saj.

Më datë 01.02.2021, rreth orës 14:20, ai kishte qenë sërish te vendi i punës së Luana Vjollcës, pikërisht te “Top Channel”, ku kishte tentuar që të hynte për të takuar Luanën, por nuk e kishin lënë që të hynte shërbimi i sigurisë.

Shtetasi Ajdin Morina i dërgonte asaj e-mail-e që prej një viti, gjë që i kishte sjellë asaj shqetësim të madh. Ky shtetas i ka shkruar edhe në rrjete sociale, por pasi Luana e ka bllokuar, ai ka filluar që t’i shkruajë në e-mail-in e punës që e ka të afishuar në “Instagram”.

Me anë të këtyre mesazheve në e-mail, ai i shprehej se ajo do të ishte e tij me zor, si dhe kishte terrorizuar familjarët e saj. Shtetasja Luana Vjollca ka deklaruar se Ajdin Morina është bërë një shqetësim për të, pasi ajo nuk mund të jetojë një jetë normale dhe për këtë ka punësuar një truprojë që ta shoqërojë, pasi ky shtetas i ka shkaktuar gjendje ankthi dhe frike.

Në lidhje me këtë shtetas ka rezultuar se nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është ngritur akuzë ndaj tij për veprën penale “Përndjekja”, parashikuar nga neni 121/a/1 i Kodit Penal dhe çështja është dërguar për gjykim.

Nga sa më sipër rezulton se shtetasin Ajdin Morina, megjithëse është dërguar për gjykim për këtë vepër penale në dëm të shtetases Luana Vjollca, ka vazhduar me përndjekjen e tij ndaj saj, duke shkuar te vendi i punës, duke shkuar në banesën e saj dhe duke vazhduar të kryejë veprime që krijojnë gjendje ankthi dhe frike.

Për të grumbulluar të dhëna të nevojshme lidhur me përcaktimin e faktit dhe të veprës penale, si dhe për individualizimin e përgjegjësisë penale dhe të personave që kanë kryer veprën penale, është e domosdoshme kryerja e hetimeve të nevojshme lidhur me ushtrimin e përndjekjes.