Familja e komisar Artan Cukut i kërkon shtetit shqiptar, 1 milon euro dëmshpërblim

Familja e ish-komisarit të policisë, Artan Cuku, i cili u vra në derën e shtëpisë për hir të detyrës, i kërkon shtetit shqiptarë plot 1 milion euro dëmshpërblim.

Sipas burimeve pranë avokatëve të familjes, dëmshpërblimi kërkohet që të paguhet nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme.

Prej kohësh familjarët e komisarit të Vlorës, Artan Cuku, kanë paditur në Gjykatën Administrative Policinë e Shtetit, pasi kërkojnë dëmshpërblim material dhe moral, si dhe drejtësi, pasi sipas tyre urdhëruesi i krimit është ende i pa dënuar.

Kryekomisari Artan Cuku u vra në 8 prill 2017, në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë, aty edhe ku banonte. Porositësi i vrasjes së tij është Bledar Jambelli, i arrestuar po ashtu në Greqi. Ndërkaq, është arrestuar më herët ekzekutuesi Mikel Shallari, i cili pasi ka pranuar fajin po vuan dënimin. 

Mikel Shallari i ka treguar hetuesve se Jambelli e ka paguar për vrasjen e kryepolicit pasi është arrestuar në 2012 nga Cuku, kohë kur mbante postin e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Jambelli e pagoi 3 mijë euro paradhënie Mikel Shallarin për të vrarë Artan Cukun, ndërkohë që 22 mijë euro do t’ia jepte pas kryerjes së vrasjes.

Pas hetimeve për ngjarjen e bujshme fillimisht në pranga fillimisht ra Kristaq Leci, I cili konsiderohet si personi që ndërmjetësoi mes porositësit dhe vrasësit të Cukut. Por si Leci dhe Jambelli janë liruar nga autoritetet e drejtësisë greke “për mungesë provash”. Procesi për ta po vijon në gjykatën e Tiranës, por për shkak të pushimeve ishte ndërprerë.