Trump refuzon të dëshmojë në gjyqin e fajësimit ndaj tij në Senat

Washington

Avokati i ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili do të gjykohet në Senat pas fajësimit (Impeachment) të votuar për shkak të bastisjes së Kongresit më 6 janar nga një turmë mbështetësish të tij, njoftoi se Trump nuk do të dëshmojë në këtë gjykim.

Në SHBA po vazhdon procesi në lidhje me Trump-in, i cili do të gjykohet në Senat javën e ardhshme me kërkesën për fajësim-shkarkim pas ngjarjeve në Kongres më 6 janar.

Avokati i Trump-it, Jason Miller, u dha një refuzim të ashpër Demokratëve të cilët kërkuan nga ish-Presidenti i SHBA-së të dëshmojë me betim në gjyqin e Senatit.

"Ish Presidenti nuk do të dëshmojë në këtë proces antikushtetues", tha Miller, duke e quajtur “qesharake” thirrjen e bërë ndaj Trump-it nga ligjvënësit demokratë, të cilët do të veprojnë në cilësinë e "prokurorëve" në procesin gjyqësor të Senatit.

Përgjigjja erdhi pasi ligjvënësit demokratë u dërguan letër zyrtare avokatëve të Trump-it, duke kërkuar që ish-presidenti të dëshmonte "me betim".

Kalendari i gjykimit në Senat

Neni i fajësimit, në të cilën Trump u akuzua për "nxitje të rebelimit", u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve më 14 janar, në lidhje me bastisjen në Kongres, në të cilën pesë persona, përfshirë një oficer policie, humbën jetën.

Lideri demokrat i shumicës në Senatin Amerikan, Chuck Schumer, ka thënë se procesi gjyqësor ndaj Trump-it do të fillojë në javën që nis më 8 shkurt.

Gjyqi i Trump-it në Senat mund të fillojë të martën, 9 shkurt, sipas kalendarit që kërkon që ish-presidenti të paraqesë të gjitha dokumentet dhe provat në lidhje me dosjen e procedurës paraprake deri më 8 shkurt.

Në mënyrë që Trump të shpallet fajtor, të paktën dy të tretat e Senatit me 100 ulëse, apo 67 senatorë, duhet të votojnë kundër tij. Një skenar i tillë është konsideruar thuajse i pamundur, pasi dy partitë e vendit kanë nga 50 ulëse.