Burgjeve të diktaturës, Guljelm Deda përktheu 40 mijë vargjet e kryeveprës 'Orlando i Çmendun'

Sot është e lindjes së përkthyesit dhe studiuesit të burgosur dhe të internuar gjatë regjimit komunist, Guljelm Dedës, i cili lindi në 1915-ën.

Gratë dhe kalorsit, armët, dashunitë,
sjelljet këndoj dhe veprat guximtare
që ngjanë kur detin afrikan një ditë
Mauret kaluen e Francën damtuen fare,
mllefin rinor tue ndjekë edhe fuqitë
e mbretit Arraùmant, që u mburr s’e parë
për vdekje të Trojanit me marrë hak
mbi mbretin Karl e përandor romak.

2.
Për Orlandin do them po në kët rend
sende që n’prozë as varg tregue nuk janë,
si nga dashnija krisi krejt ndër mend,
ai që të urtë gjithë bota e pat thanë;
nëse ajo që gati t’marrë njimend
m’bani, e kto pak tru m’i bre nuk pran,
ka me më lejue që gjatë këtij poemi
të kryej si duhet çka premtue ju kam...

Guljelm Deda lindi në 5 shkurt 1915 në Shkodër ku kreu studimet e para në Kolegjin Saverjan.

Më 1937 diplomohet në Universitetin e Padovës në degën letërsi-filozofi. Pasi mbroi diplomën me studimin mbi gjuhën e “Cuneus Profetarum” (Çeta e profetëve) të Pjetër Bogdanit, me vlerësimin më të lartë «cum laude» u kthye në vendlindje ku ushtroi profesionin e mësuesit të gjuhës shqipe dhe letërsisë greke e latine.

Më 1942 themelon e boton revistën «Balli i Kombit» që e drejtoi deri më 1943, një revistë për rininë shqiptare me përmbajtje të zgjedhur e frymë kombëtare.

Në dhjetor 1944 arrestohet e dënohet me pesë vjet burg me punë të rëndë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtës elektorale për aq kohë, mbi akuzën «për krime kundër shtetit».

U lirua më 1950-ën dhe dërgohet në guroren e malit Tarabosh. Më 1954 arrestohet e burgoset në kampin e Shtyllasit, bashkë me 50 intelektualë të tjerë shkodranë. Prej këtu izolohet në kampin e Kuçit të Vlorës.

Edhe pse tejet i kufizuar, Guljelm Deda nëpërmjet talentit e aftësisë si dhe vullnetit të hekurt arriti të përkthejë poemën e konsideruar si një nga kryeveprat italjane "Orlando i Çmendun" me autor Ludovico Ariosto.

17 vjet i kushtoi përkthimi i kësaj vepre me 40 000 vargje, në kushte ç’njerëzore dhe pa asnjë mjet që të mund ta ndihmonte, e cila u botua më 2013 nga ISKK.

Më 1990 shkoi në Itali, i sëmurë dhe i sfilitur nga vuajtjet e rënda.

Guljelm Deda u nda nga jeta në 12 prill 1994, në Peruxhia pa mundur të botojë përkthimin e tij.

Në vitin 2013, Ministria e Kulturës e vlerësoi këtë përkthim si veprën më të mirë letrare të përkthyer për vitin 2013, me motivacionin "një përkthim i papërsëritshëm që ruan bukurinë e fjalës, ritmin, harmoninë dhe elegancën e vargut në një regjistër të epërm të gegërishtes".