Programi i PD për familjet ku s'hyn asnjë rrogë, Basha: Do t’ua paguajmë 100% tarifën e studimeve, fëmijëve!

Kryetari i opozitës ka dëgjuar me vëmendje sot, problemet e një familjeje tipike shqiptare, si ajo e Ramazan Lecit në Lundër pranë Tiranës, ku ai shkoi dhe bisedoi gjërë e gjatë me ta mbi Programin e PD-së në qeverisje pas 25 prillit. Në veçanti, kreu i opozitës foli për fëmijët, që duhet të ndjekin studimet ndërkohë që familja nuk ka ardhura.

Basha konfirmoi angazhimin e qeverisë së ardhshme për të mbështetur studentët që vijnë nga familje me të ardhura minimale, pasi më herët u shpjegoi se ç’plan ishte hartuar për më të rinjtë e sistemit parauniversitar. "Në universitet pastaj të gjithë familjeve që kanë të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj, që janë 90% e studentëve, shteti do t’ua paguajë 100% tarifën e studimeve. S’kanë për të paguar tarifë, pse, sepse problemi kryesor për të shkuar për të studiuar është tarifa.”

Kryefamiljari Ramazan Leci tha se s’kishte asnjë të ardhur se shteti nuk i ështe gjendur asnjëherë më ndihmë, edhe pse ai kishte kursyer bukën e fëmijëve për të paguar taksat dhe energjinë.

Qytetari: Asnjë rrogë domethënë, me bidonët e qumështit, jena t’u u lodh.

Lulzim Basha: Asnjë ndihmë asnjë subvencion, asgjë?! Qytetarja: Jo, jo.

Qytetari: Për shembull na ka... po ka 8 vjet na ka vu këmbët në fyt. Nuk i kam lënë këtij shteti për shembull lekë ja kam paguar që në 91-shin, lekë dritash që nuk i kam lënë ndonjëherë pa paguar, kam kursyer ato lekët e mia po shtetit nuk i jam detyrim me një fjalë. Po të paktën një përkrahje të vogël mos ma kishte dhënë .

Lulzim Basha: Ti shtetit nuk i ke lënë asnjë detyrim pa ia shlyer, shteti është borxhli te ty, se shteti ka për detyrë t’i ndihmojë njerëzit. Detyra kryesore e qeverisë, arsyeja pse ka qeveri është që të ndihmojë njerëzit, çfarë arsye tjetër ka që të ketë qeveri.

Të gjithë njerëzit, të gjithë njerëzit, të garantojë rend e siguri, të garantojë ligjin, të garantojë që asnjë të mos ngelet pa përkrahje dhe ky është roli i shtetit. Tani do vijmë në një pikë tani që këto 8 vjet po marrin fund. E rëndësishme është që me 25 Prill njerëzit ta kuptojnë dhe e kanë kuptuar shumë mirë se marr mesazhe pa fund, që me 25 Prill nuk bëhet fjalë për fitoren e një njeriu apo të një partie apo të një koalicioni, bëhet fjalë për fitoren e çdo shqiptari. Edhe ne prandaj jemi munduar.

Kemi më shumë se një vit e gjysmë që punojmë me programin tone, që me atë program të marrim angazhime që ndihmojnë çdo shqiptar.

Gjëja më e kollajtë por dhe më e poshtër e politikës, është të vijë me premtime boshe. 300 mijë vende pune, shëndetësi falas dhe pastaj e pamë se ku përfunduam. Prandaj dua t’ju them sot, unë nuk bëj premtime, asnjë premtim s’keni për të dëgjuar nga fjala ime. Angazhime përmes një plani të cilin e kemi punuar me ekspertët më të mirë.

Nuk janë mrekulli, se mrekulli nuk bëjmë dot, por normalizim të situatës do sjellim, prandaj po ju them. Duke filluar me ndihmën për 5000 çifte të reja në vit, do përfitojnë nga qeveria që do t’ju paguhet 100% interesi i kredisë në qoftë se duan të blejnë një banesë. Sepse ka shumë çifte që nuk blejnë dot një banesë. Ne do t’i paguajmë 100% interesin e kredisë sepse familja është themeli i shoqërisë.

Ndihmojmë familjen, kemi ndihmuar të gjithë. Ndërsa për fëmijët në veçanti dhe për arsimin pastaj programi do të fokusohet që asnjë fëmijë të mos ngelet mbrapa. Asnjë vajzë, asnjë djalë shqiptari të mos ngelet pas shkuar në shkollë për shkak të pamundësive ekonomike të familjes. Qoftë arsimi parauniversitar, qoftë universitar. Këto janë disa prej çështjeve qe kemi trajtuar.

Sigurisht këto janë angazhime për të cilat shteti do të paguajë. Çfarë do të paguajë? Ato detyrimet që i paguan ti, ato taksat që i paguan çdo shqiptar, atë faturën e dritave, faturën e karburantit. Çdo gjë që blini, çdo gjë që shisni, gjithë këto taksa do të shkojnë tek shqiptarët, nuk do shkojnë më te një grusht njerëzish.

Parimi themelor se kjo punë me parime funksionon është që qeveria do të mendojë për njerëzit, po mendoi qeveria për njerëzit, se këtu e nisëm muhabetin, po mendoi qeveritari për njerëzit, çdokush do përfitojë, do përfitojnë të gjithë shqiptarët do fitojnë të gjithë shqiptarët, do fitojë e gjithë Shqipëria. Prandaj ju thashë që me 25 prill fiton Shqipëria.”