Mala: Partizani ka qenë aktiv në merkato, ne si klub synojmë...

Fytyra të reja dhe shumë optimizëm në stërvitjen e Partizanit, që vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, ndonëse me pak zhgënjim për atë barazim ndaj Vllaznisë. Pikërisht ndeshja me shkodranët mund të shërbejë si një pikënisje e mirë për “të kuqtë”, ashtu siç e pranon edhe një nga titullarët e Partizanit, Esat Mala, në një intervistë për Supersport.

“Ndeshja me Vllazninë na la dy shije. Një të hidhur për shkak të fatit të keq, por edhe një shije të mirë për vazhdimësinë, sepse treguam dëshirë të madhe, sakrificë dhe garanci për vazhdimësinë në kampionat. Mendoj që ajo ndeshje do të na bëjë mirë dhe do e kemi si barë reference për dëshirën dhe atë që bëmë në fushën e lojës”, tha Mala.

Partizani ka qenë skuadra më aktive gjatë merkatos së janarit, duke afruar shumë futbollistë që nga emri më i bujshëm, Ferhan Hasani, por edhe shumë të tjerë, prej të cilëve Mala pret që të shtojnë ndjeshëm forcën e skuadrës.

“Mendoj që kanë afruar shumë cilësi dhe jemi të gjithë të kënaqur. Kanë afruar çuna shumë të mirë në radhë të parë, që janë përshtatur shumë shpejt me grupin dhe besoj se ne do të ndihmojmë ata, por edhe ata do të na japin një ndihmë shumë të madhe në fushën e lojës”, deklaroi mesfushori i “të kuqve”.

Ecuria mjaft e mirë e Vllaznisë në gjysmën e parë të sezonit, ka bërë që shumë skuadra si Tirana e Kukësi të mos e përmendin më fjalën titull, megjithatë “të kuqtë” nuk kanë ndërmend të dorëzohen dhe këtë e konfirmon edhe Mala.

“Realisht ne si klub synojmë gjithmonë maksimumin, pra titullin. Shpresoj që t’ia dalim, pasi Vllaznia është shkëputur, por ka ende shumë ndeshje dhe ne duhet të jemi aty pranë për të shfrytëzuar çdo hap fals ndaj tyre. Tani na duhet fitorja në Ballsh, pasi është shumë e rëndësishme të marrim tre pikë për vazhdimësinë”, u shpreh Mala.