Dënimet për laboratorin e drogës në Has/ Yuri Kim: SPAK të japë më shumë rezultate

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim ka reaguar ditën e sotme për sekuestrimin e 5 milionë euro pasuri në kuadër të dosjes 399.

Reagimi i ambasadores amerikane vjen një ditë pasi GJKKO vendosi të sekuestrojë pasuritë e 17 pjesëtarëve në dosjen 399, të akuzuar si përgjegjës për laboratorin e heroinës në Brenovë të Hasit.

Vlera e pasurive të këtyre personave të sekuestruar nga GJKKO llogaritet në rreth 5 milionë euro, dhe përfshin lloje të ndryshme si restorante, hotele, automjete etj.

“Bazuar në informacionin nga DEA amerikane, SPAK ndoqi penalisht me sukses një organizatë të madhe kriminale, duke dënuar me burg 17 trafikantë droge dhe konfiskim të pasurive prej 5 milion €. Shpresojmë të shohim që SPAK të japë më shumë rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, shkruan Yuri Kim, ndërsa poston edhe njoftimin e SPAK për këtë çështje.