Meta - Sentop: Mirënjohje Turqisë mike për solidaritetin dhe ndihmën e pakursyer

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot z. Mustafa Sentop, Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Turqisë, të cilit i ka shprehur mirënjohjen e Shqipërisë për ndihmën e gjithanshme të dhënë nga Turqia veçanërisht vitet e fundit.

"Kënaqësi të prisja sot Kryetarin e Asamblesë së Madhe të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Mustafa Sentop, - shkroi Presidenti në Fb. - Vlerësova marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera mes dy vendeve e popujve tanë dhe theksova rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike, me synim rritjen e investimeve turke në Shqipëri.

Mirënjohje Turqisë mike dhe Presidentit Erdogan për solidaritetin dhe ndihmën e pakursyer të dhënë për tejkalimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe përballimin e pandemisë COVID-19, veçanërisht për ndërtimin e 500 apartamenteve të banimit për të prekurit nga tërmeti dhe të Spitalit të Fierit," ka përfunduar Meta.